Ish-kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Shqipe Pantina, ka deklaruar se vazhdon të mbetet në të njëjtin qëndrim lidhur me rezultatin e dobët zgjedhor të partisë, duke kërkuar përgjegjësi nga lidershipi aktual.
Pantina, e ftuar në “Debat Plus”, kujtoi se qëndrimin e saj e kishte shprehur që në janar të vitit të kaluar.
“Kam ardh në këtë studio në janarin e vitit të kaluar dhe kam thënë që rezultati i dobët zgjedhor duhet të ketë përgjegjësi nga lidershipi i partisë, vazhdojë me i qëndru të njëjtit mendim”, u shpreh Pantina.
Duke folur për të ardhmen e LDK-së dhe mundësinë e zgjedhjes së një kryetari të ri, Pantina përmendi disa figura që, sipas saj, do të dëshironte t’i shihte në garë për drejtimin e partisë.
“Unë du me pa cka, për mua aktualisht janë një 4 persona që do të doja me kandidu – Lutfi Haziri për shkak të jetëgjatësisë politike që e ka brenda LDK-së dhe mundet me e stabilizu partinë për momentin, Hykmete Bajramin me shumë dëshirë do ta shihja si kryetare nëse ka ambicie, ajo cka nuk e kam parë tek ajo është ambicia e qartë për të qenë kryetarë, Arben Gashit do të doja t’i jipej një mundësi sepse mendoj se ndonëse nuk përflitet shumë ka qëndrime të qarta politike, e njeh mirë LDK-në dhe është shumë bashkëpunues dhe natyrisht Përparim Rama konsiderohet si kandidat, Kujtim Shala po ashtu ndonëse është i heshtur kohëve të fundit. Brenda këtyre katërve cilido që e sjell një platformë e ka një vizion të qartë politikisht se ku duhet me qëndru LDK-ja mendoj se duhet me kandidu”, u shpreh Pantina.