Sonte, në Galerinë e Arteve të Prishtinës, është hapur ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” e fotografit Visar Kryeziu, me kuratore Eliza Hoxhën, në kuadër të aktiviteteve të platformës qytetare “Liria Ka Emër” dhe në prag të Marshit për Liri të 12 shtatorit.
Realizimi i ekspozitës është mbështetur edhe Komuna e Prishtinës, e cila i është bashkuar kësaj nisme për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike përmes artit dhe fotografisë.

Ekspozita sjell një përzgjedhje nga arkivi fotografik i Kryeziut, të realizuar gjatë luftës në Kosovë më 1998–1999 dhe në periudhën menjëherë pas saj, duke rikthyer përmes fotografisë pamje, dëshmi dhe momente të një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Fotografitë e ekspozuara dokumentojnë luftën, vuajtjet e popullatës, rezistencën, çlirimin dhe gjurmët që lufta la pas, duke e shndërruar ekspozitën në një dëshmi vizuale të kujtesës sonë kolektive.
Nën kurimin e Eliza Hoxhës, “Ditari i një fotografi të luftës” vjen edhe si një thirrje për të mos harruar të kaluarën dhe për ta ruajtur të vërtetën historike përmes dëshmive autentike të kohës.
Hapja e ekspozitës vjen vetëm pak ditë para Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në këtë periudhë pritjeje, aktivitetet e platformës “Liria Ka Emër” po bashkojnë artin, kujtesën dhe mobilizimin qytetar rreth një mesazhi të përbashkët: historia e luftës çlirimtare duhet të ruhet, të dëshmohet dhe të mos lejohet të shtrembërohet.

Fotografia dëshmon. Kujtesa mbetet. Historia nuk zhbëhet.
Më 12 shtator, të gjithë në sheshin “Skënderbeu”, në Marshin për Liri.