Në samitin e BE-së mospajtime rreth Ballkanit Perëndimor

Shumica e vendeve të BE-së duan që Këshilli Evropian të shprehë gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit edhe me Bosnje e Hercegovinën, por ka vende që e kundërshtojnë një gjë të tillë. Nuk ka pajtim as për hapjen e grupit të parë të kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për Maqedoninë e Veriut përsëri kushtëzohet hapja e kapitujve të parë

Flamujt e Bashkimit Evropian.

Një ditë pas samitit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, liderët e Bashkimit Evropian në takimin e Këshillit Evropian do të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit.

Edhe pse vëmendja më e madhe është rreth Ukrainës, megjithëkëtë do të diskutohen edhe disa dosje nga vendet e Ballkanit Perëndimor, porse për to ka, po ashtu, disa mospajtime në mes të vendeve anëtare.

Shumica e vendeve të BE-së duan që Këshilli Evropian të shprehë gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit edhe me Bosnje e Hercegovinën, por ka vende që e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Nuk ka pajtim as për hapjen e grupit të parë të kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për Maqedoninë e Veriut përsëri kushtëzohet hapja e kapitujve të parë.

Për të gjitha këto mospajtime, kanë paralajmëruar në BE, do të diskutohet gjatë samitit që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Në tekstin e draftit të konkluzioneve të përgatitura për t’u miratuar në këtë samit, do të konfirmohen edhe konkluzionet nga Këshillit i çështjeve të përgjithshme.

Sipas draftit, do të përsëritet se “BE-ja rikonfirmon përkushtimin e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Këshilli Evropian bën thirrje për përshpejtimin e këtij procesi”.

Do të përsëritet, po ashtu, se Këshilli Evropian mbështet edhe planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, si dhe integrimin gradual në mes të BE-së dhe rajonit gjatë procesit të zgjerimit.

Sa u përket vendeve veç e veç të rajonit, në versionin e tashëm të draftit të konkluzioneve përmenden vetëm Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

“Këshilli Evropian është i gatshëm të nisë negociatat e anëtarësimit në BE me Bosnje e Hercegovinën, kur të arrihet niveli i nevojshëm i përputhjes me kriteret e anëtarësimit”, është versioni i cili tash është në tekstin për këtë shtet. Austria dhe disa shtete kanë kërkuar që gjuha për Bosnje e Hercegovinën të jetë më pozitive.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, sipas dokumentit, “BE-ja është e gatshme të kompletojë fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut sapo ajo t’i përmbushë obligimet për të kompletuar ndryshimet kushtetuese siç është thënë në konkluzionet e Këshillit më 18 korrik 2022, në përputhje me procedurat e brendshme”.

“Këshilli Evropian fton Maqedoninë e Veriut të përshpejtojë kompletimin e këtyre ndryshimeve”, thuhet në draft.

Burimet e BE-së thonë se i tërë dokumenti i konkluzioneve do të varet nga arritja e konsensusit për Ukrainën dhe Moldavinë. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka paralajmëruar se nuk do të pranojë vendimin për nisjen e negociatave me Ukrainën. Por, të 26 vendet e tjera të BE-së insistojnë në miratimin e një vendimi të tillë.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka miratuar një raport, nëpërmjet të cilit bën ftesë që të vendoset për nisjen e negociatave edhe me Ukrainën, me Moldavinë dhe me Bosnje e Hercegovinën. Po ashtu, raporti i PE-së kërkon që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës.

Parlamenti Evropian shpreh shqetësim edhe për sjelljen e Hungarisë, e cila, sipas PE-së, po e pengon procesin e zgjerimit, e, po ashtu, edhe për ndryshimin e politikës së Hungarisë ndaj Kosovës. Tjetër shqetësim i Parlamentit është fakti se Hungaria nga 1 korriku i vitit 2024 do të ketë kryesimin e radhës të BE-së.

Samiti në Bruksel është paralajmëruar të zgjasë dy ditë, por, sipas burimeve në BE, ai mund edhe të vazhdohet në rast nevoje./REL

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika