Makina bujqësore, traktorë dhe cisterna me qumësht janë vendosur para Ministrisë së Bujqësisë, ku nga ora 13:00 ka nisur protesta e fermerëve të qumështit.
Fermerët po protestojnë pasi, sipas tyre, është ndërprerë grumbullimi i qumështit të freskët pas kontrolleve të kryera nga institucionet në fabrikën e qumështit “Vita”, për të cilën dyshohet se ka përdorur përbërës të palejuar në produktet e saj.
Protestuesit kërkojnë rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin sa më shpejt të rezultateve të analizave që po kryhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), si dhe rikthimin e gjendjes në normalitet për fermerët.
Në shenjë pakënaqësie, një pjesë e fermerëve kanë derdhur qumësht në tokë para Ministrisë, duke thënë se, pa grumbullim, prodhimi i tyre po shkon dëm dhe se po përballen me humbje të mëdha ekonomike.
Përfaqësuesi i i Shoqatës së Qumështarëve, ka thënë se ka që një vit janë duke trokitur nëpër dyer të ministrisë lidhur me situatën e krijuar duke kërkuar që të merren masa.
“Jemi mbledhur para Minsitrisë së Bujqësisë ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit në përkrahje të fermerëve tonë, anëtarësisë sonë, pikave grumbulluese, të gjiihë akterëve, grupeve të interesit sepse ne jemi prodhues të këtij vendi dhe prodhojmë qumështin, për këtë vend, për këtë popullatë. Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sector dhe duke kërkuar të mirren masa që garantojnë investime dhe siguri të prodfukteve tona që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe e gjithë regjioni. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të këtyre produkteve dhe na akuzoni neve pse ato produkte shiten nëpër raftet tona me çmime shumë të lira”, ka thënë përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve.
Ai, ka shtuar se sot janë bërë katër ditë që nuk e kanë dorëzuar qumështin.
“Andaj kërkojmë urgjentisht për shkak se prodhuesi vendor është në një situatë të palakmueshme sot bëhen katër ditë që ne nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Shumica e këtyre prodhuesve kanë qenë fermerë që e kanë dorëzuar qumështin të qumështorja “Vita”, është e vërtetë. Por, një gjë duhet ta dijë populli qumështi Vita është i Kosovës, nuk është i Serbisë”, ka shtuar ai.
“Kërkesa jonë urgjente të fillojë grumbullimi i qumështit që nga ky moment, kërkojmë nga Qeveria urgjentisht të ndal importin nga vendet e rajonit me çmiem damping, pse favorizohen importuesit e jo prodhuesit deri kur do të vazhdojë kjo praktikë, të bëjmë politika e ta zgjidhim këtë çështje njëherë e mirë, ” ka thënë ndër të tjera ai.