Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin për mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, duke bërë të qartë se ky proces varet nga një marrëveshje me partitë opozitare.

Ai ka ritheksuar se vendi është gjithmonë gati për zgjedhje, ndërsa për datën e mundshme të zgjedhjeve, Kurti përmendi vjeshtën ose dimrin.

Megjithatë, edhe pse një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme nuk u arrit në pranverë, sipas tij, pritet të shihet si do të jenë zhvillimet gjatë vjeshtës dhe dimrit.

“Kosova është gjithmonë gati (për zgjedhje), për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion professional edhe i pavarur. Mirëpo, përderisa për zgjedhjet lokale dihet që afati është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare kjo do të jetë më herët, do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjë herë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, për të siguruar mbështetje për një zgjedhje të parakohshme, ai kërkon pajtimin e të gjitha partive opozitare.

“Unë tashmë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur më pak se dhjetë muaj, andaj edhe pata shprehur gatishmërinë time që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të rëndësishme pavarësisht partive politike, dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do të ishte e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e dimri”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për televizionin lokal TV Kamenica.

Ndryshe, disa nga marrëveshjet ndërkombëtare tashmë janë votuar, pas takimit që Kurti kishte zhvilluar me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin.

Kurti kishte deklaruar se është i gatshëm t’i ofrojë votat e VV-së për shpërndarjen e Kuvendit, vetëm nëse pajtohen me këtë të gjitha partitë opozitare.

Kundër kësaj kanë dalë LDK-ja dhe AAK-ja, pasi fillimisht kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Kurti, që më pas vendi të shkojë në zgjedhje.