Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve të Stacionit Policor në Drenas.
Të njëjtit dyshohet se neglizhuan realizimin e detyrave të tyre në lidhje me vrasjen në Fushticë të Poshtme të Drenasit që ndodhi gjatë së shtunës, njofton Dukagjini.
“Nga të dhënat e mbledhura deri më tani gjatë hetimeve të IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me një vrasje që është raportuar dje në orët e pasdites në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit. Bazuar në hetimet fillestare dhe në autorizimet ligjore të IPK-së, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndonjë ndikimi të mundshëm në prova apo dëshmitarë , është rekomanduar suspendimi i zyrtarëve në fjalë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Kujtojmë se Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë si të dyshuar për vrasjen e një tjetri ditën e djeshme në Fushticë të Drenasit.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, njofton Dukagjini.
“Fushticë e Poshtme, Gllogoc / 01.11.2025 – 13:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se kishte qëlluar me armë zjarri për vdekje viktimën mashkull kosovar. Është sekuestruar pistoleta, një gëzhojë dhe një fishek. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.
Arrestohet një person për vrasjen e djeshme në Fushticë të Drenasit