Nemec emërohet raportues për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë

Ai e konfirmoi emërimin përmes rrjeteve sociale dhe tha se pret një vendim të shpejtë për anulimin e vizave për serbët e Kosovës, që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe

FOTO:AFP

Përfaqësuesi evropian, Matjazh Nemec, u emërua raportues për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që janë posedues të pasaportave nga Serbia.

Ai e konfirmoi emërimin përmes rrjeteve sociale dhe tha se pret një vendim të shpejtë për anulimin e vizave për serbët e Kosovës, që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta të Republikës së Kosovës e gëzojnë regjimin pa viza që nga 1 janari i këtij viti.

Por, nga ky vendim u përjashtuan ata qytetarë që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Autoriteti Koordinues, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ata u përjashtuan edhe kur u hoqën vizat për qytetarët e Serbisë në dhjetor të vitit 2009.

Me vendimin për anulimin e vizave për Kosovën, qytetarët që kanë vetëm pasaporta serbe, mbeten të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzojnë regjim pa viza me vendet evropiane.

Në nëntor të vitit 2023, Komisioni Evropian propozoi fillimin e procedurave për përfshirjen edhe të qytetarëve të Kosovës me pasaporta nga Serbia në liberalizimin e vizave.

Qeveria e Kosovës u shpreh kundër, duke thënë se është e shqetësuar për një propozim të tillë pa konsultime apo njoftime paraprake.

Prishtina zyrtare nuk i njeh pasaportat serbe të Autoritetit Koordinues, sepse konsideron se ato lëshohen nga një institucion ilegal.

“Njohja e këtyre dokumenteve cenon integrimin e komunitetit serb, dëmton përpjekjet tona afatgjate [për integrimin e serbëve]”, shkroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Facebook, më 21 nëntor.

Ai, gjithashtu, tha se pjesëtarët e komunitetit serb me pasaporta të Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën e shteteve evropiane, të njohur si Schengen.

Vendimin për heqjen ose jo të vizave e marrin Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian.
Parlamenti Evropian përfundon punën në prill, pasi institucioni hyn në fushatë parazgjedhore për zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor.

Mbetet e paqartë nëse do të ketë kohë të mjaftueshme për t’i respektuar të gjitha procedurat që vendimi për këtë të merret gjatë mandatit aktual të Parlamentit Evropian./REL

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika