Nën dyshimin për keqpërdorime bastisen pronat e ish-shefave të NPB-së
Ky lokacion tashmë me germadha duket të jetë arsyeja e një aksioni të Policisë së Kosovës këtë të mërkurë. Aty ishin zyret e Ndërrmarrjës Publike Banesore dhe pikërisht të bastisurit janë ish-zyrtarë të kësaj ndërmarrje. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me urdhër të Prokurorisë Speciale në orët e hershme kanë bastisur 12 […]
Ky lokacion tashmë me germadha duket të jetë arsyeja e një aksioni të Policisë së Kosovës këtë të mërkurë.
Aty ishin zyret e Ndërrmarrjës Publike Banesore dhe pikërisht të bastisurit janë ish-zyrtarë të kësaj ndërmarrje.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me urdhër të Prokurorisë Speciale në orët e hershme kanë bastisur 12 lokacione të ndryshme me qëllim të sigurimit të provave.
Bastisja është realizuar në disa prona të ish-kryeshefëve të Ndërmarrjes Publike Banesore ku edhe Prokuroria Speciale ka njoftuar se çfarë vepra dyshohet që kanë kryer 11 të dyshuarit.
“Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është realizuar në pronat e të dyshuarave H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B. të cilët në cilësinë e personave zyrtar, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”; “Lidhja e kontratës së dëmshme”; dhe “Mashtrimi”. Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Një ndër të bastisurve të mërkurën ishte edhe anëtari i PSD-së, Dren Kukaj që në të kaluarën ishte aksionar i NPB-së.
Sipas tij gjithë ky aksion është një përndjekje politike.
“Unë jam i bindur se prapa këtyre institucioneve ekziston një grup parapolitik me pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje që në çdo institucion që kanë shtrirë ndikimin mundohen që na inkriminojnë neve. Këtë jam I bindur që e bëjnë për shkak të aktivitetit tonë opozitar”, ka thënë Dren Kukaj – ish-aksionar i NPB-së.
Në ndërkohë, nga menaxhmenti i ri i Ndërrmarrjës Publike Banesore thanë se bastisje të tilla nuk ka pasur në zyret e tyre e as nuk janë njoftuar për një gjë të tillë.
“Mundem të ju konfirmoj se sa I përket bastisjeve në NPB nuk ka pasur deri në këto momente. Sic jemi informuar edhe në media, bastisje ka pasur tek ish-menaxhmenti I ndërmarrjes ndërsa në Zyret e ndërmarrjes nuk kemi një gjë të tillë” , ka thënë Arbnor Neziri nga NPB
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit sipas PRSK’së janë sekuestruar 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin – 6 laptop – 2 shtëpiza – 11 telefona – 2 sim card dhe 6 usb.















