Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, dhe drejtori ekzekutiv i Balkan Green Foundation (BGF), Agron Demi, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e shërbimeve hulumtuese dhe analitike në Kuvend përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Institutin Parlamentar.

Qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një platforme bashkëpunimi në hulumtime dhe analiza, që do të ndihmojnë Kuvendin e Kosovës në formulimin e politikave dhe ligjeve që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Sipas marrëveshjes, BGF do të mbështesë Drejtorinë e Përgjithshme duke kryer hulumtime dhe analiza për politika të gjelbra dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke ndihmuar kështu deputetët dhe organet e Kuvendit në procesin ligjbërës, mbikëqyrës dhe përfaqësues.

Marrëveshja përfshin gjithashtu angazhimin e BGF-së në fushata edukuese dhe promovuese për të rritur ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj mjedisit. Balkan Green Foundation do të ndajë informacione dhe njohuri të marra nga hulumtimet dhe fushatat e tyre me Drejtorinë e Përgjithshme dhe organet e Kuvendit. Gjithashtu, do të bashkëpunojë në ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe analitike, në shkëmbim të përvojave dhe në zhvillimin e platformave të diskutimit.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Institutin Parlamentar, do të ndajë të dhëna dhe informacione relevante me BGF-në, për të lehtësuar hulumtimet dhe analizat, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e Kuvendit. Kuvendi do të mundësojë shpërndarjen e studimeve të BGF-së, si burime të klasifikuara zyrtare në lidhje me fushën e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe do të sigurojë ndarjen në kohë dhe të saktë të të dhënave për nismat hulumtuese të ndërmarra nga BGF që ndërlidhen me Kuvendin.

Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të hulumtimit dhe analizës së politikave në Kuvendin e Kosovës, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe kujdesin ndaj mjedisit.