Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), për të vënë në funksion fabrikën e municioneve në Kosovë.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se përpos prodhimit të dy llojeve të municioneve, në fabrikë do të bëhen edhe dizajne të dronëve luftarakë.
“Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes. MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s. Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, me 27 nëntor Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka nënshkruar vendimin për themelimin e Komisionit Ndërministror për nisjen e procedurave për hapjen e fabrikës së prodhimit të municio0nit dhe laboratorët për dizajnimin dhe zhvillimin e fluturakëve pa pilotë.
Kurti ka thënë se mbrojtja edhe forcimi i Ushtrisë së Kosovës ka qenë prioritet i qeverisë.
“Do të themelojmë Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakëve pa pilotë në Republikën e Kosovës. Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Maqedonci për ndërtimin e fabrikës së municioneve: Jemi në koordinim të ngushtë me partnerët
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”.
“Sot, kryeministri Albin Kurti ka nënshkruar vendimin për formimin e një Komisioni I cili do të vë bazamentin e industries ushatarake për herë të pare në vendin tonë. Po fillojmë me epokën e re për kompletimin dhe mbylljen esistemit të infrastrukturës së mbrojtjes dhe sigurisë. Duke tentuar që të krijojmë qëndrueshmëri në aspektin e prodhimit dhe furnizimit me sisteme të armatimit. Ky komision do të negociojë rreth hapjes së një fabrike të municioneve, e cila do të jetë fabrika e pare e llojit të tillë. Kemi zhvilluar në vazhdimësi komunikim,. Dhe jemi kordinuar me partnerë. Dhe këtë rast dhe kemi pranuar raport fizibiliteti me prodhues shtetëror nga ministria e Mbrojtjes së Turqisë., tha Maqedonci.