Hyrjet e Prishtinës nga Veterniku, te rrethi në Lakrishte nga Mitrovica e po ashtu nga Fushë Kosova, dhe Podujeva në lokacionin e njohur si “te Sharbantë”, do të mbyllen për dy orë të enjten.

Kjo do të bëhet në shenjë proteste kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji që i detyron bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur nga 1 Qershori.

Oda Ekonomike; Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë; Aleanca e Bizneseve; si dhe Klubi i Biznesit; bashkë me përfaqësues tjerë të komunitetit të bizneseve njoftuan se bllokada do të nis në orën 10 dhe do të përfundojë në orën 12.

“Nuk jemi kundër daljes në tregun e hapur, mirëpo kërkesa e biznesit ka qenë që të kemi një periudhë të tranzicionit që të përgatitet së pari tregu, i cili nuk është i përgatitur, dhe së dyti që bizneset të përgatiten për të dalë në tregun e lirë, që të mos ketë efekte negative ose pasoja si për biznesin si për ekonominë e vendit”, ka deklaruar Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike.

“Ky vendim është shumë i shpejtë, shumë i ngutshëm, i pa analizuar dhe do të shkaktojë dëme edhe te bizneset, por edhe te punëtorët. E sidomos te rritja e çmimeve që do ta afektojë”, ka theksuar Skender Krasniqi, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Pasi thanë se protesta vjen pasi dialogu me institucionet nuk prodhoi rezultat, ata theksuan se do të ndalen vetëm kur ZRRE-ja të tërhiqet.

“Nuk është dëshirë e jona që nesër të dalin maunet, bizneset të ndalin punën, t’i bllokojnë rrugët, por është një mesazh që ZRRE-së duhet t’i dërgohet edhe në këtë formë, edhe institucioneve të tjera, në mënyrë që ky vendim të kthehet prapa së paku për një periudhë tranzicionale”, ka deklaruar Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit.

“Biznesi sot është detyruar që me një akt simbolik të tregoj se, duke e marrë këtë vendim për futjen në tregun e lirë, po çojmë drejt mbylljes së ekonomisë”, ka deklaruar Ilir Ibrahimi, nga Klubi i Biznesit.

Bizneset kërkojnë shtyrje të procesit, në mënyrë që të gjejnë kontrata më të favorshme – ndryshe nga ato që u janë ofruar deri në 200% më të larta.

Sipas një ankete të Odës Ekonomike 88% e bizneseve kanë deklaruar se rritja e kostos për energji elektrike nga hapja e tregut, do të reflektohet në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

Më shumë se 46% e  bizneseve, sipas anketës së OEK-ut, janë shprehur se kostot shtesë do të çojnë në reduktimin e prodhimit ose të stafit.

Rreth 1300 biznese me më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor, nga 1 Qershori do të dalin me automatizëm në tregun e hapur – bazuar në vendimin e ZRRE-së.