Nesër Kuvendi diskuton në lidhje me koeficientin e pagave
Kuvendi i Kosovës, nesër pritet të ketë seancë plenare, në të cilën, do të diskutohet për ngritjen e koeficientit të pagave. Kështu bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai ka kërkuar nga të gjithë deputetët ta mbështesin rezolutën e AAK-së për rritje të pagave në sektorin publik. “Është momenti i […]
Kuvendi i Kosovës, nesër pritet të ketë seancë plenare, në të cilën, do të diskutohet për ngritjen e koeficientit të pagave.
Kështu bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai ka kërkuar nga të gjithë deputetët ta mbështesin rezolutën e AAK-së për rritje të pagave në sektorin publik.
“Është momenti i fundit që gjithë deputetët, pozitë e opozitë, me votën e tyre t’i japin mbështetje rezolutës së Aleancës për rritjen e pagave! Varfëria ka emër dhe adresë. Nga muaji në muaj qytetarët tanë po shohin se si artikujve bazikë iu luajnë çmimet për 10%, 20% apo 50%. Për jetën e qytetarëve tanë, kjo nënkupton ulje e menjëhershme e konsumit dhe e standardit të tyre jetësor. Për shumicën kjo gjeneron presion maksimal”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shumë familje kosovare mezi po ia dalin ta kalojnë muajin për shkak të rritjes së çmimeve e pagave të vogla.
“Për shumë, kjo është thyerje dhe zhgënjim. Janë shumë familje që nuk arrijnë as të mbyllin muajin. Të tjerët detyrohen t’i kufizojnë shërbimet për fëmijët e tyre. Të moshuarit varen edhe më shumë nga përkrahja familjare e sociale. Prindërit nuk ia arrijnë t’ia dalin dhe as ta balancojnë nevojën për më shumë angazhim për pak më shumë të hyra, me nevojën për më shumë përkushtim ndaj jetës familjare. Të rinjtë ikin duke mos parë perspektivë zhvillimi dhe standardi për ta”, ka thënë ai.
Tahiri bëri të ditur se AAK do të propozojë të ndahet buxhet “për rritje të koeficientit në minimum 129 Euro”.















