Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të takohet të mërkurën me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington për të diskutuar bisedimet e fundit me Iranin mbi programin bërthamor, njoftoi zyra e tij.
Netanyahu, sipas njoftimit të shkurtër të zyrës, beson se të gjitha negociatat duhet të përfshijnë kufizimin e raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes për “aksin iranian”, duke iu referuar mbështetjes së Teheranit për grupet militantë në rajon, shkruan Euronews, transmeton Dukagjini.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Republika Islamike e Iranit zhvilluan bisedime indirekte të premten në Oman, të cilat dukeshin se i kishin kthyer diskutimet në pikën e nisjes për mënyrën se si të trajtohej programi bërthamor iranian.
Trump i quajti bisedimet “shumë të mira” dhe tha se janë planifikuar runde të tjera në fillim të javës së ardhshme. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan nga i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.
Trump ka kërcënuar më herët se do të përdorë forcën për t’i detyruar iranianët të arrijnë një marrëveshje mbi programin bërthamor, duke dërguar në rajon edhe aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln dhe anije të tjera luftarake, pas shtypjes së protestave të përhapura në Iran që shkaktuan mijëra viktima.
Në një samit të mbajtur të dielën në Teheran, ministri iranian i Jashtëm, Abbas Araghchi, tha se vendosja e forcave ushtarake amerikane në rajon “nuk na frikëson”. Ai theksoi se fuqia e Iranit buron nga aftësia për të “thënë jo fuqive të mëdha”, duke shtuar se “sekreti i fuqisë së Republikës Islamike qëndron në aftësinë për t’i rezistuar kërcënimeve, dominimit dhe presionit të të tjerëve.”
Araghchi u shpreh se Irani nuk synon të krijojë bombë atomike, por fuqia e tij bërthamore qëndron në mundësinë për t’i thënë jo fuqive të mëdha. Ai gjithashtu bëri të qartë se Teherani do të vazhdojë pasurimin e uraniumit edhe nëse do të “imponohet lufta” mbi vendin.
Ai theksoi se programi iranian i raketave “nuk është kurrë i negociueshëm” dhe se ekziston “një mosbesim shumë i thellë” pas ngjarjeve gjatë bisedimeve të mëparshme, kur SHBA bombardoi disa objekte bërthamore iraniane gjatë konfliktit Izrael-Iran vitin e kaluar. Araghchi paralajmëroi se Teherani do të synojë bazat amerikane në rajon në rast sulmi ndaj territorit iranian.
Ai përshkroi bisedimet si “një fillim të mirë”, por theksoi se “ka ende një rrugë të gjatë për të ndërtuar besim”, duke njoftuar se raundi i ardhshëm i diskutimeve do të rifillojë “shumë shpejt”.
Araghchi gjithashtu kritikoi atë që e quajti “doktrinë e dominimit”, që lejon Izraelin të zgjasë arsenalin e tij ushtarak ndërsa i vendos presion shteteve të tjera të rajonit për t’u çarmatosur.