Netanyahu: Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Gazë pas luftës

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Rripin e Gazës për një kohë të papërcaktuar pas përfundimit të luftës me Hamasin. Ai ka thënë se është i hapur për "pauza të shkurtra" në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë për të lehtësuar lirimin e pengjeve

Foto arkiv/ Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu flet në një konferencë shtypi në bazën ushtarake Kirya në Tel Aviv, Izrael, më 28 tetor. Abir Sultan/Pool/AFP/Getty Images

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se Izraeli do të ketë “përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme” në Rripin e Gazës për një kohë të papërcaktuar pasi të ketë përfunduar lufta me Hamasin.

Ai, po ashtu, u shpreh i hapur për “pauza të shkurtra” në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, në mënyrë që të lehtësohet lirimi i pengjeve.

Këto deklarata të tij, të cilat i tha gjatë një interviste me ABC News, janë shenjat më të qarta deri më tani se Izraeli synon ta kontrollojë territorin i cili është shtëpi e rreth 2.3 milionë palestinezëve.

Përsëri, Netanyahu e hodhi poshtë çdo mundësi për armëpushim, nëse nuk lirohen rreth 240 pengjet që i rrëmbeu grupi militant Hamas gjatë sulmeve të 7 tetorit në qytetet e Izraelit jugor. Megjithatë, ai tha se është i gatshëm për “pauza të shkurtra taktike”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka theksuar nevojën për pauza humanitare gjatë një bisede telefonike me Netanyahun të hënën, por nuk ka mundur të arrijë marrëveshje me të, tha Shtëpia e Bardhë.

Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, ka thënë se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka arritur në 10.000, përfshirë më shumë se 4.100 fëmijë dhe 2.640 gra.

Në Bregun e uzurpuar Perëndimor, më shumë se 140 palestinezë janë vrarë nga dhuna dhe nga bastisjet izraelite.

Më shumë se 1.400 njerëz u vranë në Izrael, shumica dërrmuese në sulmet e 7 tetorit nga Hamasi, të cilat e nxitën këtë luftë, ndërsa 242 njerëz u rrëmbyen në Izrael dhe u dërguan në Gazë nga grupi militant, shkruan REL.

Rreth 1.100 njerëz janë larguar nga Rripi i Gazës përmes pikëkalimit kufitar, Rafah, prej të mërkurës kur u arrit një marrëveshje mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika