Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar gjatë një konference për shtyp se është pajtuar që punonjësit humanitarë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) të lejohen t’i vizitojnë pengjet në Gazë.

Në një deklaratë për media, ai ka thënë se Kryqi i Kuq duhet të ketë mundësinë të kryejë detyrën e tij humanitare dhe t’i sjellë ilaçet që nevojiten në këtë zonë.

“Unë pres që Kryqi i Kuq të bëjë punën e tij dhe t’i vizitojë të gjithë dhe t’u sjellë ilaçet që u nevojiten”, ka theksuar Netanyahu, raporton BBC.

Ai ka shprehur besimin se disa nëna dhe fëmijë do të lirohen nëpërmjet kësaj marrëveshjeje.

Gjithashtu, ai ka theksuar se ka pasur vendime të vështira për t’u marrë gjatë kësaj periudhe dhe se është e nevojshme të merren hapa të tilla për t’i përmbushur qëllimet e tyre.

Netanyahu gjithashtu ka thënë se Izraeli po përfiton nga çdo mundësi për t’i sjellë pengjet në një shtëpi të sigurt.

Ai ka garantuar sigurinë e ushtarëve izraelitë gjatë një periudhe armëpushimi të përkohshëm, por ka potencuar se forcat e tyre do të vazhdojnë fushatën kundër Hamasit.

Qëllimet e luftës, sipas kryeministrit izraelit, janë lirimi i pengjeve dhe eliminimi i Hamasit.

Ai gjithashtu ka premtuar se askush nga vrasësit nuk do të lirohet nga burgjet izraelite gjatë procesit të lirimit të pengjeve.