Vetëm pak javë pas largimit nga KF Ferizaj, trajneri tiranas Nevil Dede është rikthyer shpejt në pankinë, duke u zyrtarizuar si trajner i ri i KF Egnatia.
Klubi nga Rrogozhina, që është kampion në fuqi në Kategoria Superiore, njoftoi të hënën arritjen e marrëveshjes me Deden, duke i besuar atij drejtimin e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit dhe projektin në vazhdim.
Në njoftimin zyrtar, Egnatia e ka cilësuar këtë lëvizje si fillimin e një etape të re, me synime të mëdha dhe ambicie të qarta për vazhdimësinë e suksesit.
“Një kapitull i ri fillon sot. Me firmosjen e kontratës dhe prezantimin zyrtar të trajnerit të ri, Nevil Dede, ekipi ynë nis një rrugëtim të ri me ambicie, pasion dhe objektiva të qarta. Mirë se erdhe dhe suksese në këtë sfidë të re”, thuhet në komunikatën e klubit.
Dede rikthehet kështu në futbollin shqiptar pas një periudhe të shkurtër në Kosovë, ku drejtoi KF Ferizaj. Ai u shkarkua më 19 prill, pas një serie rezultatesh jo të mira që e lanë skuadrën në një pozitë të vështirë në tabelë.
Aktualisht, Ferizaj renditet në vendin e parafundit në Superliga e Kosovës dhe përballet me rrezik serioz për rënie nga elita, teksa mbijetesa në ligë mbetet objektivi kryesor në javët e fundit të kampionatit.
Në anën tjetër, sfida e radhës për Deden te Egnatia pritet të jetë ruajtja e standardit të lartë të ekipit dhe vazhdimësia e rezultateve pozitive, duke pasur parasysh se klubi hyn në fazën vendimtare të sezonit si kampion në fuqi dhe me objektiva të qarta për të mbrojtur titullin.
