Nga 220 deri në 400 euro, rritet çmimi i kurbanit në Kosovë

Rritja e çmimeve në treg ka reflektuar drejtpërdrejt edhe tek kurbanet këtë vit, duke e çuar çmimin e therjes së një kurbani në Kosovë deri në 400 euro.

Fermerët thonë se shtrenjtimi i ushqimit për kafshë ka rritur ndjeshëm koston e mbajtjes së bagëtive, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë mundësinë e familjeve dhe donatorëve për të kryer obligimin e kurbanit gjatë festës së Kurban Bajramit. Edhe Bashkësia Islami e Kosovës sivjet ka rritur çmimin për therjen e një kurbani në Kosovë në 200 euro, sa ishte vitin e kaluar 180.

Fermeri Adhurim Berisha thekson për KosovaPress se këtë vit çmimet e kurbaneve në fermën e tyre sillen nga 220 deri në 400 euro, ku në çmim përfshihet edhe therja e kurbanit. Megjithatë ai shpjegon disa faktorë që kanë çuar në ngritjen e çmimeve.

“Sivjet për momentin kurbani është nga 220 euro deri në 400 euro në fermën tonë, ku në çmim përfshihet edhe therja e kurbanit. Sivjet, ndoshta kisha me thanë ka pak një ngritje të vogël, mirëpo jo edhe shumë në krahasim me vitin e kaluar. Tu e marrë parasysh se tash edhe ushqimet ose produktet bazë të delet janë shtrenjtua, duhet që edhe na me shtrenjtua kurbanin. Për shembull sivjet u shkua deri 5 euro një dëng i sanës, vitin e kaluar ka qenë një euro e gjysmë deri dy euro. Ngritja e çmimit drithnave, po ashtu edhe këtë tu e marrë parasysh se gjithçka u shtrenjtua”, tha ai.

Ai theksoi se çmimet ndryshojnë varësisht nga lloji i kafshës, raporton KosovaPress.

“220 euro fillojnë delet deri 250, 270 përafërsisht, 300-400 shkon një dash”, tha Berisha.

Ndërkaq, organizata humanitare “Islamic Relief Kosova” thotë se tash e 26 vite realizon shpërndarjen e mishit të kurbanit për familjet me jetimë dhe familjet në asistencë sociale. Menaxheri i departamentit për ngritjen e fondeve lokale në këtë organizatë, Lavdim Gashi, tha se rritja e çmimit të kurbanit këtë vit ka ardhur si pasojë e rritjes së përgjithshme të çmimeve në treg dhe kërkesës së madhe për kafshë.

“ Fatkeqësisht ashtu siç na kanë përcjellë rritja e çmimeve në treg e çdo gjëje, e çdo produkti, rrjedhimisht ka ndikuar edhe te çështja e kafshëve të kurbanit. Veçanërisht tash që kërkesa është shumë e lartë, kështu, në aspektin jo vetëm në Kosovë po edhe jashtë, në krejt botën, edhe dihet, çdo herë faktikisht, çdo Bajram kanë shkuar duke u rritur çmimet. Po është diçka që nuk është e varur, nuk varet prej nesh, varet prej furnitorëve. Mirëpo ne kemi dashur në këtë rast me ofruar mundësi për donatorët tanë të cilët, për të cilët mundet me qenë shuma e lartë, e që është 200 euro nuk është edhe e vogël”, thekson Gashi.

Gashi shpjegoi edhe procedurat që ndjek organizata për identifikimin e familjeve përfituese dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit.

“Ne e kemi një departament të veçantë për kujdes ndaj jetimëve. Domethënë janë disa zonja që punojnë me vite në organizatë edhe ato të vetmen përgjegjësi e kanë me i identifikuar rastet kur vijnë kërkojnë ndihmë prej nesh. E bëjnë një verifikim fillimisht, një vlerësim me anë të vizitës në secilën familje, pastaj listohen në databazën tonë në bazë të nevojave që i ka familja. Nëse e konsiderojmë që është një familje e varfër plus që janë fëmijë me fëmijë jetimë, e fusim në listën tonë të pritjes. Pastaj çdo projekt që realizojmë gjatë vitit, këto familje janë përfituese direkte të projekteve. Në këtë rast, pasi t’i therim kurbanet, e bëjmë ngrirjen e mishit, ne i kemi qytet për qytet organizojmë shpërndarjen. E caktojmë një lokacion të caktuar, i thërrasim në telefon familjet edhe ua tregojmë lokacionin edhe orën në sa vijnë me marrë domethënë mishin e kurbanit në këtë rast” , u shpreh Gashi.

Ai theksoi se organizata aplikon kritere strikte për furnitorët dhe kontrollin e mishit para shpërndarjes.

“Fillimisht ne, disa muaj para se me ardh festa e Kurban Bajramit, bëjmë thirrje publike për furnitorë domethënë me kurbane. Edhe ka kushte, kritere të cilat janë të parapara me ligjet vendore, të cilat duhet t’i plotësojë thertorja. Që domethënë kafshët të jenë me dokumentacion të rregulluar, që ta kenë dëshminë që janë në aspektin shëndetësor mirë. Pastaj thertorja me qenë e licencuar edhe transporti prej thertores deri në vend të shpërndarjes me i plotësuar kushtet të cilat janë të parapara, e që njëra prej tyre kryesorja është me qenë mishi i ngrirë edhe me u shpërndarë me mjete transportuese adekuate të mishit. Dhe për 26 vite që implimentohet si projekt, nuk kemi pasur kurrë asnjë problem në proceset e shpërndarjes së mishit të kurbanit për familjet tona me fëmijë jetimë”, tha Gashi.

Therja e kurbanit është një nga ritualet më të rëndësishme fetare në Islam dhe kryhet gjatë festës së Kurban Bajramit, në shenjë bindjeje, sakrifice dhe afrimi ndaj Zotit. Ky ritual lidhet me ngjarjen e profetit Ibrahim, i cili sipas besimit islam ishte i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij, Ismailin me urdhër të Zotit, por në momentin e fundit Zoti e zëvendësoi atë me një kurban.

Për myslimanët, therja e kurbanit simbolizon devotshmërinë, solidaritetin dhe ndihmën për familjet në nevojë, pasi mishi i kurbanit shpërndahet për të afërmit, fqinjët dhe shtresat sociale me kushte më të vështira ekonomike. Këtë vit festa e Kurban Bajramit në Kosovë është më 27 maj. /KP/

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika