“Nga banesa me qira në jug shoh çdo ditë shtëpinë e djegur në veri”

Qindra familje të përndjekura me dhunë nga komunat veriore të Kosovës tash e 24 vjet vazhdojnë të paguajnë qira nëpër banesa e shtëpi, në Mitrovicë e në qytete tjera të Kosovës. Ata thonë se kanë vullnet që të kthehen e t’i rindërtojnë shtëpitë e djegura në pjesën veriore, por shteti nuk po i përkrahë. Përkundër vullnetit, barra e qirasë për ta është bërë e padurushme, prandaj thonë se po e mendojnë edhe shitjen e pronave përballë injorimin që shteti ka shpërfaqur ndaj tyre

Koha e zymtë e moti me shi nuk janë e vetmja arsye që Selvete Avdyli mërzitet kur hapë derën e ballkonit e kthen sytë kah pjesa tjetër e qytetit.

“Kur dal këtu gjithë andej më shkojnë syt prej shpisë që e kam pasë”, ka thënë Avdyli, ish-banore e Kroit të Vitakut.

Rrobat e nusërisë, stolitë e arit, gjithçka kishte shitur për të ndërtuar shtëpinë.

Më 1984 bashkë me burrin nisën jetën në shtëpinë e re në Kroin e Vitakut, tash pjesë e Mitrovicës së Veriut.

Nisja e bombardimeve të NATO-s ishte kthyer në ankth për banorët e kësaj zone, në shenjë hakmarrjeje, njerëz të armatosur e të paftuar nisën dhunën dhe shpërngulën banorët.

“Ehhh… më 12 qershor jemi kanë në shtëpi të babës në Shipol. Aty kemi prit që po bëhet mirë, hajt u çliru Kosova u gëzuam të gjithë që me u kthy secili në pronën e vet, e djegun e kallnë sido që të jetë e ki pronën tane”, ka vijuar Avdyli.

“Boll vështirë ish që nuk mundesh me shku më në të, me e pa gërmadhën vështirë ish por çka me bo. Vall boll vështirë, sa herë që dal në këtë ballkon këtu, kjo banesë pak na ka nxon, se sa herë që dal këtu, normal që boll mërzitna”.

Barra e qirasë për pensionisten Avdyli e ka mundur dashurinë që një ditë të kthehet në pragun e shtëpisë në të cilën qe 24 vjet ka qenë vetëm një herë.

“Vallahi mu ka zatetë edhe mu shpirti me më ardhë oferta vallahi e më nuk shpallna trimneshë as kurgjo, se qe 24 vite u bënë askush nuk të ndihmon asgjë e unë me shit trimni e me nejt me qira valla më jo”.

Në pamundësi për t’i rindërtuar shtëpitë për shkak të pengesave administrative dhe sulmeve nga persona të panjohur, besohet se në Mitrovicë të Jugut dhe nëpër qytete të Kosovës jetojnë qindra familje.

“Ne si zyre nuk kemi shënime të sakta, nuk kemi shënime, dhe nuk mundem me ju dhën shënime të sakta, mirë po e di që në vitet e mëparshme në Qeveritë e mëparshme në emër të qirasë disa familjeve iu është ndihmuar, nëse nuk e kam harruar mbi 380 familjeve”, ka thënë Bedri Sadiku, Koordinator në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim

Sipas Sadikut në Kroin e Vitakut dhe në lagje tjera nuk mund të veprojnë, pasi që këtë punë do të duhej ta kryente zyra për komunitete e Mitrovicës së Veriut, por që nuk egziston aktualisht.

Nedzat Ugljanin, Kryesuesi i Kuvendit në Mitrovicë të Veriut në javën e kaluar për RTV Dukagjini ka deklaruar se shumë shpejtë krijimin e Zyrës për Komunitete.

Mbi 12 mijë shqiptarë që jetonin në pjesën veriore ndërmjet vitit 99, dhe muajit shkurt 2000,  janë dëbuar nga banesat dhe shtëpitë e tyre, shumica tash të uzurpuara.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika