Regjisori Agim John Limoni, me një rrëfim prekës përshkruan rrugëtimin e tij nga errësira e drogës drejt gjetjes së fuqisë për dritën dhe ndryshimin për të mirë.

Limoni për emisionin Rreth e Rrotull të TV Dukagjinit, ka folur për sfidat dhe pasojat që vijnë me përfshirjen në botën e drogës, duke përfshirë jo vetëm vetën, por gjithashtu edhe familjen.

Ai ka treguar se që në klasën e shtatë ka filluar të formohet një lloj grupi kriminal në Bern të Zvicrës dhe prej kësaj ka shkuar në ekstrem.

“Mos i hini rrugës të keqe, se je më një luftë që është shumë vështirë për një rrugëdalje. Në atë luftë nuk je vetëm por e përfshin krejt familjen dhe familja është numër një për gjithsecilin. Ta njerëz që nuk donë me i përfshi hynë shumë shpejt, nganjëherë ta bën rrethi me hy në rrugë të gabuar, nganjëherë edhe mungesa e harmonisë në familje të shti me u detyru në këtë rrugë. Je i varfër, dëshiron të bësh pare, sheh klipet muzikore me Ferrari, atë me orë Rolex, ke qejf edhe ti, mandej e lyp paren e shpejt që ti sjellë problemet e gjata”, është shprehur ai.

Ai ka shpjeguar sesi pasiguria emocionale dhe presioni social e shtyu drejt rrugës së gabuar në një kohë kur ai dëshironte të ndihej “cool” dhe të përmbushte imazhin “me para të shpejta”.

“Unë jam vet i shtati në familje, babai im ka qenë shumë punëtor, nëna ka qëndru në shtëpi. Nuk është që kemi pas heqë për bukë apo diçka, por e kam bërë pak si filma, dojsha me qenë “cool”, kishe unë jam dikush, por nëpër filma nuk është realitet. Nganjëherë po futje në rrugë të këqija dhe s’po mundeshe me dal nga aty më”, ka rrëfyer ai.

Por, ai shpejt u kap në grackën e drogës, duke filluar një rrugëtim që sipas tij, shkoi përtej kontrollit.

Në rrëfimin e tij, Limoni ka theksuar rëndësinë e një familjeje harmonike, e cila mund të ndihmojë të rinjtë të shmangin rreziqet dhe prirjet negative.

Megjithatë, mbi dhimbjen dhe dështimin, ai gjeti dritën e shpëtimit me lindjen e djalit të tij.

“Nëna ime ka hequr shumë nga unë, gjithmonë më ka pyetur se ku po rri i bir, unë i thosha se e di ku rri unë. Nuk desha që ti fusë në këtë rrugë edhe të familjes. Nuk guxoja me u afru te familja. U pata kthjellë kur ka lindur djali im, sepse e kam parë në ato momente se çfarë kam bërë, edhe nuk dëshiroja ta shoh ashtu gjendjen time. E kam ndjerë sesi është ndjerë në ato momenti babai im për mua”, ka theksuar Limoni.

I emocionuar ka treguar se djali i tij është trailerin e filmit të parë, “nëna e tij është gjallë, kur jam nda prej saj jam dashuruar prapë, edhe dëshiroja me kriju një familje të re, dëshirojë të bëj me të fëmijë tjetër, ende kam dëshirë”, ka shtuar ai.

Tani duke përfshirë veten në krijimin e filmit “A ka vend për dashurinë”, ai synon të ndriçojë rrugën përpara për të rinjtë e sotëm, duke ndarë me ta mesazhin se ka gjithmonë një mundësi për të ndryshuar dhe për të gjetur rrugën drejt një jete më të mirë.

“Dua që rinia ta shohë këtë film, dhe ta shohin se nuk ia vlejnë të bëjnë punë të dëmshme kriminale…Për t’u larguar nga kjo rrugë duhesh të largohesh edhe nga disa njerëz”, ka shtuar ai.