Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, përsëriti retorikën e përplasjes me Perëndimin, sulmoi Kosovën dhe akuzoi Kroacinë për “ngritjen e nazizmit”.
Vuçiq tha se rendi ndërkombëtar i bazuar në Kartën e OKB-së është cenuar dhe se Serbia do të mbrojë, siç tha ai, integritetin e saj territorial, Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. Ai kritikoi gjithashtu vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një pjesë të fjalimit, presidenti serb iu drejtua vendeve të “Jugut Global”, duke i paralajmëruar që të jenë të kujdesshme kur nënshkruajnë marrëveshje me fuqitë e mëdha. Si shembull përmendi Marrëveshjen e Brukselit dhe pretendoi se Serbia i ka përmbushur të gjitha obligimet e saj, ndërsa pala shqiptare nuk ka zbatuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por pjesa më e ashpër e fjalimit ishte ajo për Kroacinë.
“Në rrethin tonë po shohim sërish ngritjen e nazizmit, veçanërisht në Republikën e Kroacisë”, tha Vuçiq, duke pretenduar se Kroacia “mburret me të kaluarën e saj naziste” dhe me përdorimin e sloganeve e simboleve naziste.
Ai përmendi edhe Jasenovcin, duke thënë se populli serb nuk mund ta pranojë, siç u shpreh ai, “ringjalljen e fantazmave më të tmerrshme të së kaluarës”, përgjegjëse për vdekjen e qindra mijëra serbëve, hebrenjve dhe romëve. /Oslobodjenje