Nga kundërshtimi deri të pranimi i Asociacionit – si ndryshoi Albin Kurti?
“Kjo qeveri po e ia jep çerekun e shtetit tonë Serbisë përmes Zajednicës që na bosnjëzon…”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti në protestën e mbajtur më 28 nëntor 2015. Kundërshtimin e Asociacionit e kishte nisur në rrugë me protesta masive e të dhunshme. Për të edhe ishte arrestuar, sikur qindra aktivistë të partisë së tij […]
“Kjo qeveri po e ia jep çerekun e shtetit tonë Serbisë përmes Zajednicës që na bosnjëzon…”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti në protestën e mbajtur më 28 nëntor 2015.
Kundërshtimin e Asociacionit e kishte nisur në rrugë me protesta masive e të dhunshme.
Për të edhe ishte arrestuar, sikur qindra aktivistë të partisë së tij dhe qytetar.
Madje, Albin Kurti që udhëheq Lëvizjen Vetëvendosje e ka identifikuar veten viteve të fundit kryesisht mbi bazën e kundërshtimit të Asociacionit.
Si opozitar rebel, Kurti ka shfaqur kundërshti që nga 2013-ta kur u nënshkrua marrëveshja për këtë mekanizëm.
Por dhjetë vjet pas, tani si kryeministër vet konfirmon se do ta formojë Asociacionin.
“Ka Asociacion, neni 10 thotë se të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre…”, ka deklaruar ai.
Asociacionin Kurti është pajtuar ta themelojë pas presionit ndërkombëtar si pjesë e marrëveshjes bazë të arritur me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Por ky ndryshim i qëndrimit nuk e ka befasuar njërin prej ish-bashkëpunëtoreve më të afërt të tij dikur.
Madje, Belgzim Kamberi thotë se Kurti aktual është ai normali.
“Është me rëndësi megjithatë që ai ta shpjegojë dhe çka është më me rëndësi ta pranojë ndryshimin dhe transformimin e tij sepse ndonëse është legjitime të ndryshosh mendoj që është me rëndësi edhe aspekti i etikës politike dhe që mos të normalizohet kjo praktikë që mund të flasësh krejt diçka tjetër kur je në opozitë dhe të sillesh e të flasësh në mënyrë krejt tjetër kur je në pushtet”, ka deklaruar ai.
Kamberi shton se Kurti u ka borxh disa shpjegime partisë së tij dhe qytetarëve.
“Sot, ajo që është më e rëndësishmja është që me parashtru edhe pyetjen se në çka beson dhe cilat janë bindjet e Z. Kurti. Realisht cilat janë besimet e Z. Kurti, të vërtetat. A janë ato kur ka qenë në opozitë, apo janë këto që është pushtetar sepse nuk mund ta analizojmë vetëm nga aspekti praktik dhe pragmatik. Pra, bindjet dhe besimet e Z. Kurti janë të rëndësishme me ia shpjegu edhe opinionit publik”, ka thënë, Kamberi.
Tejkalimin e kundërshtive dhe pranimin e Asociacionit, analisti politik Artan Muhaxhiri e quan ndryshimin më të madh në jetën politike të Albin Kurtit.
“Pra me këtë transformim esencial, substancial ai e ka shfaqur një anë tjetër të personaliteti të tij politik, të imazhit të tij. Për këtë arsye ai është i obliguar të jap shpjegime sepse unë konsideroj që kjo është një situatë traumatike për përkrahësit, votuesit e tij por edhe për qytetarët në përgjithësi pasi nuk besoj kurrë që ata e kanë pritur që kryeministri Kurti do ta bëjë këtë kthese prej 180 shkallësh”, ka thënë Muhaxhiri.
Kurti do të bënte gabimin më të madh, sipas Muhaxhiri nëse nuk e shpjegon ndryshimin e tij në mënyrë të sinqertë dhe të detajuar.















