Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për krime lufte, të arrestuar lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë luftës në fshatin Kalludër e Vogël, në Zubin Potok.
Sipas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale nga neni 142, lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.J. dhe M.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin të pandehur.
Gjykata ka vlerësuar se kjo masë është e nevojshme për shkak të rrezikut të arratisjes dhe shmangies së përgjegjësisë penale.
“Ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Në njoftim theksohet se fakti që të pandehurit janë shtetas të Serbisë paraqet rrezik shtesë për sigurimin e pranisë së tyre gjatë procedurës.
“Duke marrë parasysh se të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë”, ka bërë të ditur Gjykata.
Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë.
“Nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale”, thuhet në vendim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.