Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.
Të dyshuarit H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G. po përballen me akuzën për veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa në rast është i përfshirë edhe një person i mitur i cili dyshohet të jetë autori i drejtpërdrejtë i krimit.
“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 ;lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur viktima po kthehej në banesë pas përfundimit të orarit të punës në orën 22:53. Rreshteri Lika është përcjellë nga disa të dyshuar që nga dalja nga stacioni policor deri në hyrje të ndërtesës ku banonte. Sapo ka hyrë në objekt dhe po ngjitej shkallëve, personi i mitur e ka ndjekur nga pas dhe e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë fatale.
“Ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 01.04.2025 rreth orës 23:00 në një rrugë të Kaçanikut, përkatësisht në hyrje të një ndërtese, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë – rreshter M.L., me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, në atë mënyrë që më pas i mituri, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë – rreshter M.L., ku viktima pas përfundimit të orarit të punës në ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.
Në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plafët e marra, viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit “D.”, ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “M.D.”, ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i pandehuri H.B., i cili e përcjellë zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar mbrapa e pas kryerjes së veprës penale nga i mituri rreth 14 minuta mbrapa vije në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar”, thuhet më tej në njoftim.
Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë ndihmuar në identifikimin e të dyshuarve dhe në përshkrimin e veprimeve të tyre. H.B. është parë duke e përcjellë viktimën nga stacioni policor dhe më vonë është kthyer në afërsi të vendit të krimit. Ndërkohë, V.Ç., R.M. dhe i mituri janë parë duke vëzhguar vendin e ngjarjes para se të kryhej vrasja.
“I pandehuri V.Ç., është parë në shoqëri të të pandehurve R.M. dhe të miturin ku të njëjtit para kryerjes së veprës penale vërehen duke vëzhguar vendin e ngjarjes. I pandehuri E.L., në bazë të video incizimeve është parë në shoqëri të të pandehurve ku së bashku me të pandehurin Sh.K., e përcjellin rreshterin M.L., nga daja nga Stacioni Policor, ku i pandehuri E.L., derisa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e të pandehurit Sh., dhe vazhdon me veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës, ndërsa i pandehuri Sh., vazhdon me veturën “Opel Astra” duke përcjellë viktimën, i pandehuri D.G., përmes telefonit kontakton të pandehurin H.B. dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjëra tjera të miturit”, thuhet më tej në njoftim.