Nga sot KEK-u do t’i furnizojë ndërmarrjet që dolën në treg të hapur pa kontrata, thotë Rizvanolli
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se që nga e diela, 1 qershori, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do t’i furnizojë të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në treg të lirë dhe nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi. Sipas Rizvanollit, energjia për këto ndërmarrje për datën 1 qershor është siguruar me një çmim […]
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se që nga e diela, 1 qershori, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do t’i furnizojë të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në treg të lirë dhe nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi.
Sipas Rizvanollit, energjia për këto ndërmarrje për datën 1 qershor është siguruar me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat orë (€/MWh) përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
“Që nga sot, KEK-u, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), furnizon të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në treg të lirë e nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi. KEK-u njofton se energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme, pra 1 qershor, është siguruar me çmim mesatar prej 64.55 €/MWh përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX). U bëjmë thirrje ndërmarrjeve që në afat sa më të shkurtër dhe brenda afatit ligjor të nënshkruajnë marrëveshjen e furnizimit me KEK si FMF, ose të gjejnë furnizues alternativ”, ka shkruar ajo në Facebook.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), pritet të monitorojë tregun me përpikmëri dhe të ndihmojë në një tranzicion sa më të lehtë për ndërmarrjet.
“Sa më shpejt që ndërmarrjet të informohen saktë, aq më i lehtë dhe më i shpejtë do të jetë tranzicioni për ta”, ka shtuar Rizvanolli.















