Ngritet aktakuzë për grabitjen rreth 200 mijë euro ari në Suharekë
Në nëntor të vitit 2023 shkrepjet e armëve të gjata tronditën qytetin e Suharekës. Në një aksion grabitjeje aty disa persona të maskuar e të armatosur rëndë ia dolën të marrin ari në vlerë gati 200 mijë euro në argjendarinë “Diakos”. Aty mbet i plagosur edhe një zyrtar policor. Gjithsesi, nuk iu dashtë shumë kohë […]
Në nëntor të vitit 2023 shkrepjet e armëve të gjata tronditën qytetin e Suharekës.
Në një aksion grabitjeje aty disa persona të maskuar e të armatosur rëndë ia dolën të marrin ari në vlerë gati 200 mijë euro në argjendarinë “Diakos”.
Aty mbet i plagosur edhe një zyrtar policor.
Gjithsesi, nuk iu dashtë shumë kohë që ata të kapen nga Policia e Kosovës ndonëse gjatë aksionit të arrestimit të tyre një hetues policor u plagos e një nga të dyshuarit u neutralizua nga Policia.
Tash rëndesa e krimit bie më shumë mbi këta të dyshuar pas një aktakuze të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Aktakuza e ngritur ndaj Korab Gashit, Bujar Bashës, Besart Istrefit, Leotrim Cakollit dhe Trim Barakut është mjaftë e detajuar dhe përshkruan se si dyshohet që kishte ndodhur i gjithë krimi.
Aty thuhet se Korab Gashi, Bujar Basha, Besart Istrefi e Dukagjin Gashi ishin të maskuar e armatosur rëndë.
Njëri nga ta, sipas aktakuzës Besart Istrefi fillimisht futet në argjendari, kapërcen banakun e argjendarisë duke ia drejtuar armën të dëmtuarit A.B., dhe të njëjtin, e lidh në dhomën e pasme të argjendarisë, dhe e mban peng duke e kanosur me armë.
Kjo i kishte thënë hapësirë të tjerëve të përfshirë të thyejnë vitrinat dhe të marrin arin.
“K.B., së bashku me D.G., fillojnë t’i thyejnë vitrinat, ku kanë qenë të vendosura stolitë e arit, dhe me shpejtësi të madhe e mbushin një thes, dhe me armë në duar dalin nga lokali. Të njëjtit, me shpejtësi nisen në drejtim të veturës, ku ishte duke i pritur i pandehuri B.B., i cili me të parë policinë shkrep disa herë në drejtim të tyre me pushkë gjysmë automatike. Më pas, të njëjtit vazhdojnë nga fshati Sopijë në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Komunës së Ferizajt, ku nga aty dalin nga automjeti, i marrin stolitë me vete, në sasi prej 3 kilogram e 71 gram, duke i shkaktuar të dëmtuarit T.B., dëm në vlerë prej 133,711.34 euro.”
Në aktakuzë përmendet edhe Leotrim Cakolli si i dyshuar për përfshirje në rast pasi që ndihmoi të tjerët që t’i fshehin provat e kryerjes së veprës penale por edhe të dyshuarit.
Dhe në fund përfshihet Trim Baraku, pronari i një argjendarie në Prishtinë.
“Në anën tjetër, i pandehuri T.B., prej mesit të muajit Nëntor të vitit 2023, e deri në momentin e arrestimit 30.11.2023 me dashje ndihmon të pandehurit e lartpërmendur, për kryerjen e veprës penale të grabitjes. I njëjti, në argjendarinë e tij “B.” e cila gjendet në Prishtinë, pranon nga të pandehurit B.B., dhe të tjerët, stolitë e arit të grabitura në peshë prej 3 kilogram e 71 gram, duke i fshehur fillimisht në kasafortën e vet, e pastaj pjesën më të madhe e ka dërguar në drejtim të panjohur”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në aktakuzë përmendet gjithashtu që Prokurori i rastit ka propozuar që të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjeteve me të cilat janë kryer veprat penale të lartcekura, si dhe gjësendet e përfituara përmes kryerjes së veprës penale.















