Deklarata të ashpra në drejtim të diplomatëve të huaj, bërë nga ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Shëarz, bënë jehonë mbrëmjen e së mërkurës.

Përderisa i konsideroi si  problematike e pretendentë për ta futur në luftë Ballkanin Perëndimor, një prej tyre, Ministria Gërvalla e akuzoi se mban anën e presidentit serb Vuçiq.

Këtë e bëri teksa foli për emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Por deklaratat e saj,  dhënë për austriaken “Der Standard”, po e konsiderohen të papranueshme nga deputetja e PDK-së Blerta Deliu, që thotë se këtë praktikë e ka filluar kryeministri me sekretarin Blinken.

“Ne në vazhdimësi kemi një gjuhë përçmuese, ndaj zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së përkundër faktit që aleatët tanë kanë qenë të zëshëm në raportim me kthimin e policëve të rrëmbyer tek familjet e tyre. Kjo shkon në shproporcion me angazhimin tonë, ruajtjen e partneritetit dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Për Time Kadriajn e AAK-së, njëherësh anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, qasja e qeveritarëve karshi ndërkombëtarëve po e kthen hapa mbrapa Kosovën.

“Këtë qasje të qeverisë ju e keni pa që po e kundërshtojmë, sepse për me arsyetu këtë qëndrim, ne bashkë me aleatë tanë e kemi bërë shtetin e Kosovës, e kemi përfunduar luftën, e kemi bë ushtrinë e Kosovës, dhe kemi rrugëtuar bashkërisht në rrugën e Kosovës. Kjo qasje e kësaj qeverie po e sjell vendin kah izolimi”, ka deklaruar ajo.

Koordinimi me aleatët është e vetmja zgjidhje për Kosovës edhe sipas Valentina Bunjakut të LDK-së, teksa fton Gërvallën dhe të tjerët që mos të harrojnë të kaluarën kur I drejtohen ndërkombëtarëve.

“Kjo qeveri ka qasje absolutisht negative ndaj ndërkombëtarëve ndaj aleatëve tanë, që me dekada kemi bashkpunu dhe funksionu me ta, me SHBA-të dhe me gjithë ata aleatë që e kanë përkrahë Kosovën në ditët më të vështira, është mirë mos me harru qeveria përfshi Gërvalla, mos me harru realisht ndihmën që i është dhënë Kosovës, në vitin 99. Sepse falë tyre dhe atyre që e kanë dergjë gjakun jemi shtet”, ka thënë ajo.

Kosova, ka qenë në thumb të kritikave të ndërkombëtarëve si rezultat i aksioneve të ndërmarra së voni në veri të vendit, për çka edhe ka nisur të ballafaqohet me të ashtuquajturat ‘pasoja’, term që u përdor nga SHBA-të e BE-ja, në vend të përdorimit të fjalës ‘sanksione’, siç u interpretuan fillimisht.