Familjarët e Lulzim Fejzullahut, i vrarë në janar të 2024, kanë ardhur sërish në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për tu përballur edhe njëherë me procesin gjyqësor ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e tij.

Kjo gjykatë në muajin maj shpalli aktgjykim, ndaj dy të miturve duke i dënuar me 19 vjet burgim, njërin me 10 vite e tjetrin me 9 vite burgim, por Apeli e ktheu në rigjykim.

Xhaxhai i Lulzimit, beson edhe më tutje se drejtësia do të vihet në vend, ndonëse thotë se është e rëndë që sërish të vijnë në gjykatore.

“Unë kërkoj vetëm drejtësi ja kam lënë drejtësi prani të avokatit se kuptoj cka është rigjykimi por kërkoj drejtësi maksimale… I kam besuar dhe u besoj gjithëherë dhe vetëm drejtësi kërkojë”, ka thënë Rrahim Fejzullahu- Xhaxhai i të ndjerit.

Derisa avokati Tomë Gashi thotë se shkeljet që janë përmendur në Gjykatën e Apelit, kanë mundur të evitohen.

“Është paksa e quditshme që njëra prej arsyeve që Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim është se njëri prej gjyqtarëve ka qenë gjyqtarë i procedurës paraprake në cështjen e të miturve dhe që sipas dispozitave ligjore nuk ka mundur të jetë antarë i panelit e i bie që nuk është abeseda e aplikimit të Kodi të procedurës penale dhe për cvështje të tilla duhemui të kthemi në rigjykim. Dhe familja e Lulzimit kërkon vetëm drejtësi dhe kjo drejtësi është tashmë e vonuar”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkohë, që kthimin në rigjykim e kanë mirëpritur avokatët e dy të akuzuarve, meqë thanë se kishte qenë edhe kërkesë kur e kanë apeluar vendimin në shkallë të dytë.

18-vjeçari Lulzim Fejzullahu, nga Podujeva vdiq gjashtë ditë pas plagëve që mori së pari nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta.