Nis punimet Asambleja Parlamentare e NATO-s në Sofje, temë edhe Kosova

Ka nisur punimet Asambleja Parlamentare e NATO-s në Sofje të Bullgarisë. Në këtë sesion pranveror, si pjesë e agjendës, pritet që të diskutohet dhe miratohet kërkesa e Kuvendit të Kosovës për avancimin e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar

FOTO:RTK

Në Sofje të Bullgarisë, prej sot, për tri ditë rresht do të mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku në agjendën e saj është edhe Kosova.

Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës e synon finalizimin e avancimit të statusit në anëtar të asocuar në këtë organizatë.

Në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, në Sofje të Bullgarisë, ka nisur punimet komisioni për mbrojtje dhe siguri, raporton RTK.

Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës është i pranishëm në këtë komision por gjatë ditës do të ketë edhe komisione të tjera ku do të prezantohen draftraporte edhe për Kosovën.

Në njoftimin e Asamblesë thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe Kuvendit të Kosovës.

Agjenda:

Delegacioni i Kuvendit te RKS-se do ti ndjekin punimet e komisionit për mbrojtje dhe siguri ku ndër të tjera do të diskutohen edhe tri draft raporte:

1. Qëndrimi në zhvillim i mbrojtjes ajrore dhe raketave të NATO-s nga Utku CAKIROZER (Turkiye).

2. Lufta e Rusisë dhe mbështetja e aleatëve për Ukrainën nga Rick LARSEN (Shtetet e Bashkuara).

3 Ballkani Perëndimor: Sfida të Përtëritura të Sigurisë në pragun e NATO-s nga Lord Mark LANCASTER (Mbretëria e Bashkuar).

Kosova është përfshirë në agjendë me rekomandimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s për dhënien e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar për Kuvendin të Kosovës, më 24 mars të këtij viti.  

Për shumë vjet Kosova ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veriatlantike.  

Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohet delegacioni pjesëmarrës i Kosovës, do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe Kosova mund të kontribuojë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve lidhur me dokumentet të cilat i trajton Asambleja.

E në Serbi kanë nisur përpjekje për ta penguar avancimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë.

Instituti Ndërkombëtar për Siguri, me seli në Beograd, i është drejtuar me një letër Asamblesë Parlamentare të NATO-s për të mos ia dhënë Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.

Afro 400 deputetë nga 32 vendet anëtare të NATO-s dhe nga 25 vende partnere e organizata parlamentare do të marrin pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga 24 deri më 27 maj në Sofje. Forumi organizohet nga Asambleja Kombëtare e Republikës së Bullgarisë.

Pjesëmarrësit do të diskutojnë temat që lidhen me agjendën e mbrojtjes dhe të sigurisë euroatlantike, me fokus në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në korrik të këtij viti në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Gjatë seancës, Asambleja pritet të përforcojë qëndrimin e saj të vendosur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, të diskutojë ofrimin e ndihmës së menjëhershme dhe afatgjatë për Ukrainën dhe të miratojë një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës deri në fitore. Në hapje të seancës plenare, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, pritet t’u drejtohet me një mesazh parlamentarëve përmes video-konferencës”, është bërë e ditur në njoftimin e Asamblesë Parlamentare.

Është planifikuar gjithashtu që në hapjen e seancës, pjesëmarrësit të priten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michal Shcherba, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Rositsa Kirova, si dhe nga kryeministri bullgar në detyrë, Dimitar Glavçev.

Parlamentarët suedezë do të marrin pjesë në punimet e sesionit pranveror për herë të parë, pasi Suedia edhe zyrtarisht është bërë anëtare e plotë e Aleancës.

Asambleja do të marrë gjithashtu në konsideratë zbatimin e planeve të reja të mbrojtjes të NATO-s, përmbushjen e detyrimeve të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ndarjen e barrës buxhetore për shtetet anëtare.

Shija e redaktorit

FSK-ja sot organizon Ditën e Vizitorëve, pjesëmarrëse edhe Osmani

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), këtë të martë, 12 nëntor, organizon Ditën e Vizitorëve, ku aty pritet të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa...

“Dukagjini” do të promovojë në Tiranë librin “Ciceroni shqiptar i...

Panairi i 27-të i Librit në Tiranë po afrohet. Ashtu si çdo vit tjetër, do të marrë pjesë edhe shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila...

“Dukagjini” do të promovojë serinë e lektyrave shkollore në Tiranë

Për të gjithë ju, mësimdhënës, pedagogë, prindër, fëmijë; lexues të letërsisë për fëmijë, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar që më datën 16 nëntor, ditën...

Të fundit nga rubrika