Nis rigjykimi ndaj Todosijeviq, masakrën e Reçakut e konsideroi trillim
Pas disa muajve vonesë, ka nisur rigjykimi për Ivan Todosijeviq, i cili po akuzohet për nxitje të urrejtjes dhe mos durim kombëtar. Todosijeviq në kohën sa kishte qenë ministër në Qeverinë Haradinaj, masakrën e Reçakut e kishte cilësuar trillim. Megjithatë, ai në deklarimin e tij para trupit gjykues, veten nuk e konsideroi fajtor. “A e […]
Pas disa muajve vonesë, ka nisur rigjykimi për Ivan Todosijeviq, i cili po akuzohet për nxitje të urrejtjes dhe mos durim kombëtar.
Todosijeviq në kohën sa kishte qenë ministër në Qeverinë Haradinaj, masakrën e Reçakut e kishte cilësuar trillim.
Megjithatë, ai në deklarimin e tij para trupit gjykues, veten nuk e konsideroi fajtor.
“A e ndjenë veten fajtor për veprën penale me të cilën të ngarkon aktakuza. Jo, i pafajshëm”- Ivan Todosijeviq-i akuzuari.
Pas këtij deklarimi të të akuzuarit, mediave u është ndaluar xhirimi.
“Trupi gjykues vlerëson se deri në këtë moment janë lejuar kamerat të incizojnë, nga ky moment e tutje ndalohet regjistrimi video i seancës”,- Musa Kongjeli.
E pas këtij vendimi, Prokuroria dhe mbrojtja kanë thënë fjalët e tyre hyrëse.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema theksoi se ky gjykim do të vërtetoj se Todosijeviq është fajtor për veprën me të cilën ngarkohet.
Mirëpo, këtë e ka kundërshtuar avokati i të akuzuarit, Nebojsha Vlaiq.
Vlaiq ka thënë se në aktakuzë nuk është shkruar saktë deklarata të cilën e ka dhënë Todosijeviq për Reçakun.
Trupi gjykues ka vendosur që deklarata e ish-deputetit të dëgjohet në seancën e radhës.
Në deklaratë, përveç Reçakut, ai e ka arsyetuar luftën që Serbia e bëri në Kosovë.
“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe Metohi, Reçaku i trilluar dhe ishin pikërisht ata shqiptarët terroristë të cilët e kanë trilluar gjithë këtë”, ka deklaruar Todosijeviq.
Në gjykimin e parë, Todosijeviq ishte dënuar me dy vjet burgim.
Vendimin e vërtetoi Gjykata e Apelit, mirëpo Supremja e ktheu në rigjykim, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Këto pamje të masakrës së Reçakut, si dhe të masakrave të tjera gjithandej Kosovës, ishin bërë shkak që NATO të niste intervenimin në Kosovë.
Vetëm në janarin e vitit 1999, në Reçak nga ushtria serbe u vranë 45 civilë.















