Ëmbëltorja më shumë se gjashtë dekadëshe në qendrën e sheshit të Pejës do të rrënohet së shpejti. Objekti do të rrënohet por jo për ta shuar si biznes, por për t’i hapur rrugë ndërtimit të ri.

Ne i takuam dhe biseduam me disa pronarë e qiragji të këtyre lokaleve, por asnjëri nuk pranoi të flas para kamerës për këtë projekt. Përkundër se e kanë pranuar kompensimin për rrënim të objekteve shqetësimin e kanë se sezoni mund t’i zë pa lokale e pa punë.

Zëdhënësi i komunës së Pejës thotë se i kupton shqetësimet por thekson se pronarët kanë qenë të informuar për kohë të gjatë janë dakorduar për çfarëdo shqetësimi, shto këtu faktin se janë disa muaj para sezonit të verës dhe ka kohë për ndërtim.

“Kanë me u rrëzu këto lokalet në anënë e majt komplet edhe kanë me u ndërtu lokalet e reja. Kanë me ik 3-5 metra nga sheshi afër lumit, edhe ka me qenë shetitorja aty, kanë me u rrit hapësirat tjera, edhe kanë me qenë gjithë një plan”, tha Faik Zekaj, zëdhënësi i Komunës së Pejës.

Zekaj thotë se zyrtarisht nuk kanë pranuar asnjë ankesë, pasi që të gjithë janë pajtuar me kushtet dhe planin.

Në anën tjetër qytetarët e Pejës po e mirëpresin këtë projekt.

“Tash mirë është ka punu kryetari mirë, me u lidh këtu me u lidh me knena, shkëlqyeshëm është kjo punë…Duhet me i hjek këto, duhet me u ndërtu tjera të reja taze të mira, këtu janë para 100-200 vjete, duhet me u hjek kto”, tha Idriz Asllani, qytetar.

“Ouu vendim i mirë është mos me mujt me i dëmtu edhe pronarët me i rregullu këto, këtu është qendër e sene”, tha Rexh Lajqi, qytetar.

Në këtë zonë tashmë ka nisur puna me ç’rast gjatë javës është rrënuar një shtëpi e vjetër, për të vazhduar në anën e djathtë rrënimin e pastaj punën për shëtitoren me kalldrëm.