Ka filluar të enjten demolimi i një shtëpie në zonën e njohur si “Rruga A” në Prishtinë, pasi institucionet e kanë vlerësuar objektin si të rrezikshëm për shkak të mundësisë së shembjes.
Ndërhyrja për rrënimin e objektit ishte paraparë të bëhej të martën, por ishte shtyrë pasi pronari i shtëpisë, Faruk Maxhuni, nuk kishte pranuar të largohej nga objekti.
Maxhuni dhe bashkëshortja e tij kanë kundërshtuar vendimin për rrënim, duke thënë se kishin paralajmëruar më herët Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Komunës së Prishtinës për dëmet që, sipas tyre, u janë shkaktuar nga ndërtimet përreth.
Ata kanë deklaruar se punimet për ngritjen e ndërtesave të reja në lagje kanë ndikuar në dëmtimin dhe rrezikimin e shtëpisë së tyre.
Për rastin kishte reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar se objekti ishte ndërtuar pa leje dhe gjendej në parcelë në pronësi të Komunës së Prishtinës.
“Edhe pse këto objekte kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara. Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Pajtohem me ata që thonë se prona është e shenjtë. E tillë është edhe kjo pronë, e cila është në pronësi të Komunës dhe meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit”, ka deklaruar Rama.
Shtëpia qe dëmtuar pas punimeve për hapjen e “Rrugës A”.