Ka rinisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut.
Seanca ishte ndërprerë më herët për shkak të disa problemeve teknike, por pas rregullimit të tyre ka vazhduar procedura gjyqësore.
Sipas njoftimit të Departamentit Special të Gjykatës, bëhet fjalë për çështjen penale, ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq, për shkak të veprës penale Krimet e “Luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook.
Seanca po mbahet në mungesë të të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
“Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘Pishat’, ‘Gështenjat’ dhe ’Çesta’. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Hetimet e prokurorisë kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.