Me afrimin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027, që nis më 1 shtator, ka nisur edhe furnizimi i prindërve me tekstet shkollore.
Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka nisur sot edhe zyrtarisht shitjen e librave, duke zgjeruar oraret dhe stafin në pikat e saj për t’iu përgjigjur fluksit të pritshëm.
Nga kjo shtëpi botuese thonë se janë të furnizuar dhe të gatshëm për kërkesat e prindërve, ndërsa ditët e para të shitjes kanë nisur me interesim të madh.
Elvin Blakaj, koordinator i mediave në librarinë “Dukagjini”, në qendër të kryeqytetit, tha se janë bërë përgatitjet e duhura për këtë fillimvit.
“Me ditën e sotme, sot është i 24-ti, e kemi filluar shitjen e librave për vitin e ri shkollor. Jemi të furnizuar mirë, jemi të gatshëm, stafin e kemi zgjeruar, edhe e kemi zgjeruar edhe orarin e punës, kështu që jemi më se të gatshëm për fillimin e vitit shkollor dhe për çdo prind që e ka rëndësinë dhe nevojën t’i blejë librat”, tha ai.
Blakaj tregoi orarin për secilën pikë të kësaj librarie, i cili ndryshon krahas vendit.
“Në libraritë tona orari pak ndryshon varësisht prej vendit që jemi. Në këtë librari që jeni këtu, që është libraria në qendër, orari i punës është gjatë ditëve të javës prej orës 09:00 të mëngjesit deri në orën 20:00 gjatë ditëve të javës. Gjatë fundjavës do të punojmë prej orës 10:00 të mëngjesit deri në orën 19:00. Në librarinë tonë në Pejë që e kemi vlen i njëjti orar. Në librarinë në “Prishtina Mall”, për shkak të punës së “Prishtina Mall-it” specifikisht, aty punojnë çdo ditë të javës prej orës 10:00 të mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Por për shkak të fluksit të mundshëm dhe pritjeve që i kemi për shitjen e librave, e kemi hapur edhe Dukagjinin në Lakrishte, që e kemi resortin aty, dhe ai është po ashtu me një punë specifike prej orës 9:00 të mëngjesit gjatë ditëve të javës deri në orën 19:00 të mbrëmjes dhe gjatë fundjavës prej orës 10:00 deri në orën 19:00, po ashtu” tha ai.
Ai theksoi se ka pasur fluks të të interesuarve për blerjen e teksteve shkollore.
“Prej mëngjesit e kemi pasur një fluks, një fluks të pritshëm si gati çdo vit. Tanimë prindërit janë edhe të përgatitur me listat, kështu që e dinë saktë çka do të blejnë dhe çka dëshirojnë të marrin, dhe ajo neve na gëzon shumë. I falënderojmë prindërit për përgatitjen e tyre bajagi të mirë. Dhe prej fillimit e kemi pasur, prej si jemi ardhë i kemi prit te dera, dhe shpresojmë që ajo do të vazhdojë kështu me një shpërndarje të mirë që edhe të mos presin prindërit shumë, por edhe në të njëjtën kohë që të furnizohen të gjithë para se të fillojë viti i ri shkollor”, u shpreh ai.
Sa i përket koordinimit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Blakaj tha se nuk janë hasur probleme.
“Për momentin nuk kemi pasur ndonjë problem. Ne si librari e kemi pak edhe punën më specifike, prandaj ne zakonisht e kemi vetëm qasjen direkte të shitja. Nuk kemi pasur ndonjë problem, shpresojmë që nuk do të kemi problem edhe më tutje. Por ne jemi të gatshëm për zgjidhjen e çdo problemi të mundshëm që mund të na vijë normalisht brenda kompetencave tona”, përfundoi ai./EO
Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2026/2027 nga shtëpia botuese “Dukagjini”
