Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe dy liderëve opozitarë, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë ka nisur.

Ndryshe nga Abdixhiku dhe Haradinaj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nuk e kishte pranuar ftesën e Kurtit për takim të përbashkët, ku pritet të diskutohet për dialogun dhe takimet e fundit në Bruksel.

Në këtë takim po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ndryshe, kyetari Lumir Abdixhiku ka pranuar ftesën e kryeministrit Kurti megjithëse kishte pritur një proces më transparent dhe njëherësh, më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut.

“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, ka shkruar Abdixhiku.

Një reagim i tillë vie pasi ftesa e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas lajmërimit se do të ftonte liderët opozitarë për të biseduar para takimit të arshsëm në Bruksel, vie me vonesë.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel, në kuadër të dialogut.

Ai ka thënë se për të dhe partinë që ai udhëheq, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake.