Të premten e 17 qershorit, krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), të prirë nga Faton Klinaku, kanë hyrë në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për pakënaqësitë e tyre për projektligjin për pagë minimale.

Takimi ka nisur në ora 09:00, në objektin e Qeverisë së Kosovës kanë arritur përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta.

Të ftuar nga Kryeministri Kurti, do të zhvillojnë një takim dialogues lidhur me pakënaqësitë e veteranëve për shkak të përjashtimit të këtyre të fundit nga ligji për pagën minimale.

I pranishëm në këtë takim është edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Takimi i shefit ekzekutiv, Kurti me kategoritë e dala nga lufta vjen vetëm një ditë pasi këta të fundit protestuan në shenjë pakënaqësie për shkëputjen e tyre nga paga minimale.

Kurti gjatë ditës së enjte, ka thënë se do ta anulojë shkuarjen në Forumin e Prespës, për të mbajtur takim me veteranët dhe për të diskutuar në lidhje me pagën minimale.

No description available.

Ndërsa, veteranët e UÇK-së, të enjten e 16 qershorit, protestuan në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në beneficionet e Projektligjit për pagën minimale në Kuvend.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se tre përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti.

Jashari, ka thënë se qasja e Qeverisë dhe e kryeministrit Kurtit ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, është e gabuar.

Sipas tij, verifikimin e listës së veteranëve nuk mund ta bëjë kryeministri dhe as Qeveria e Kosovës.

“Do të jemi tre përfaqësues të organizatave, protestën e kemi organizuar bashkërisht, qasja e Kurtit është e gabuar, lufta është vlerë e secilit, dhe mendoj që tre përfaqësuesit dhe deputetët duhet të reflektojnë, do duhej ta ndiejnë obligim moral sepse lufta është vlerë kombëtare”, kishte thënë Jashari për RTV Dukagjinin.

Jashari ka theksuar se veteranët nuk do të zmbrapsen nga kërkesa për përfshirjen e tyre në ligjin për rritjen e pagës minimale.

Pas ftesës së kryeministrit Kurti, Jashari ka thënë se ky veprim është reflektim nga ana e tij.

Jashari tha se kërkesat e tyre do t’i paraqesin sy më sy para kryeministrit të Kosovës.