Takimi në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell ka filluar.

Pamje të transmetuara në faqen e Komisionit Evropian kanë treguar Kurtin dhe Borrellin gjersa fillojnë takimin.

Përfaqësuesi i lartë të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell dhe Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka njoftuar se të premten përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në takime të ndara në Paris.

Të njëjtën, Stano e kishte bërë të ditur përmes një postimi në Twitter.

“Për t’i vazhduar përpjekjet e BE-së për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të depërshkallëzojnë, të zbusin tensionet aktuale dhe të avancojnë dialogun e lehtësuar nga BE, Josep Borrell do të takohet me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin nesër në Paris në takime të ndara”, ka shkruar Stano në Twitter.

Vizitën e ka konfirmuar edhe kryeministri Kurti i cili nuk ka lënë anash mundësinë e një takimi me Vuçiq.

“Përveç punimeve dhe darkës, përgjatë këtij forumi prestigjioz ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, ka shkruar Kurti.

Borrell takimet e ndara me Kurtin dhe Vuçiqin po i zhvillon në Paris në kuadër të Forumit për Paqe.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani është takuar të enjten me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Kurti bëri të ditur se në fokus të bisedave të tij me Macron ishte thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit.