Pas heqjes së grupit paraprak të masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian në fund të vitit të kaluar në vlerë të përgjithshme rreth 216 milionë euro, por edhe atyre më herët, kanë nisur të vërehen efektet e para.
Derisa ka projekte që veçse kanë rinisur, në një përgjigje për TV Dukagjini, BE-ja theksoi se synon që këtë fillimvit të zhbllokojë edhe 205 milionë euro të tjera në projekte.
Duke thënë se në këtë fazë nuk mund të publikojnë listën e plotë, BE-ja bëri një kategorizim sipas programeve, ku përfshihen investime që ishin nisur para pesë vjetësh në kuadër të Instrumentit për Para-Anëtarësim.
“Kjo do të bëhet në linjë me konkluzionet e Presidencës për zgjerimin të miratuara më 16 Dhjetor, që do të lejojë kontraktimin e mbetur të IPA 2021 (rreth 17 milionë euro), të IPA 2022 (55.7 milionë euro) dhe kontraktimin e projekteve të Fondit për Investime në Ballkanin Perëndimor (132 milionë euro)“-Bashkimi Evropian
Kjo pritet të shkaktojë një valë të re të vazhdimit të projekteve që u mbajtën pezull që nga Qershori 2023, si pasojë e masave që ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell i kishte quajtur sanksione.
Nga efektet e para të masave që veçse janë hequr vitin e kaluar është tenderi për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.
Ky projekt në vlerë rreth 11 milionë euro ishte nënshkruar në Maj të vitit 2020 dhe ka për qëllim përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe uljen e ndotjes ujërave.
“Përshkrimi: furnizim me dhe instalimi i rreth 12.5 km tubacione të kanalizimit në zonën urbane dhe atë rurale, ndërtimi i dhomave të tejmbushjes, e po ashtu furnizimi dhe instalimi i rreth 3.5 km tubacione për furnizim me ujë të pijshëm në zonën e impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza”-Dosja e Tenderit.
Më 16 Dhjetor, BE-ja kishte njoftuar lirimin e katër projekteve në vlerë të përgjithshme 34.6 milionë euro.
Prej tyre projekti më i madh i zhbllokuar ishte ai në vlerë 17.6 milionë euro për dyfishimin e kapacitetit të ngrohjes në Prishtinë, që mundëson vazhdimin e zgjerimit të rrjetit të Termokosit dhe kyçjen e rreth 20 mijë konsumatorëve të rinj.
Pas tij, vjen projekti në vlerë 12 milionë euro për impiantin e ujërave të zeza te Termocentrali “Kosova B”.





