Ka nisur tentativa e 17-të e seancës për Konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Avni Dehari ka bërë hapjen e kësaj seance dhe ka deklaruar se në sallë gjenden 99 deputetë.

Dehari i ka ftuar për konsultim të gjithë kryesuesit e Partive Politike të Kuvendit të Kosovës, si “nevojë e nisjes” së seancës konstituive. Pas konsultimit, deputetet kane mbajtur nje minute heshtje ne nderim te Ukshin Hotit.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët në asnjë prej 16 seancave të mbajtura deri më tani.

Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.

Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Sipas deklarimeve të deputetëve për media, as sot nuk pritet që kjo përpjekje të përfundojë suksesshëm.

Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk do të ndryshojë skenari – pra as mënyra e votimit, e as kandidatja për postin e kryeparlamentares.

Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur pikërisht në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Të enjten, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Po atë ditë, deputetët nuk arritën ta bëjnë konstituimin e Kuvendit, pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiun, por ajo s’arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme asnjëherë.

Pas gjashtë tentimeve për ta bërë Haxhiun kryeparlamentare, më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja e kryeparlamentarit të ri të bëhet përmes votimit të fshehtë – gjë që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re, për të cilën duhen gjithashtu 61 vota.