Pas 21 tentimeve të dështuara për ta konstituuar legjislaturën e re, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, të martën ka nisur seanca e 22-të me radhë në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit institucional në vend.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të formojnë ende organet udhëheqëse të institucionit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke e lënë vendin për më shumë se tre muaj pa qeveri të re.

Dështimet e njëpasnjëshme, përfshirë edhe refuzimin për herë të 13-të radhazi për të formuar një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kreun e Kuvendit, kanë thelluar krizën politike.