Ka nisur tentativa e shtatë e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Aktualisht në sallën e Kuvendit ndodhen 109 deputetë.

Hyrjen e ka bërë, deputeti më i moshuar i Kuvendit, Avni Dehari.

Ndryshe, Deputetët do të mblidhen mëngjesin e sotëm me qëllim për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, pas shumë tentimesh të dështuara, por nuk ka shenja se partitë parlamentare kanë gjetur pajtueshmëri për këtë.

Përfaqësues të partive parlamentare thanë në prag të seancës se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet nga seancat e kaluara, duke paralajmëruar një dështim të radhës të seancës.

Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postimin e kryetarit të Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, dështoi gjashtë herë radhazi, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.