Nis tentativa e tetë për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca konstituive e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila shënon tentativën e tetë për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve. Për të pestën herë me radhë, në rend dite është edhe votimi për kryetarin e Kuvendit, me Albulena Haxhiun si kandidate të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo vazhdon të mos i ketë numrat […]
Ka nisur seanca konstituive e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila shënon tentativën e tetë për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Për të pestën herë me radhë, në rend dite është edhe votimi për kryetarin e Kuvendit, me Albulena Haxhiun si kandidate të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo vazhdon të mos i ketë numrat e mjaftueshëm për t’u zgjedhur, ndërsa bllokada politike po zgjat prej javësh.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për postin e kryetarit të Kuvendit – një figurë që, sipas tyre, do të ishte më unifikuese dhe do të mund të siguronte mbështetjen e deputetëve të opozitës.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje po qëndron e palëkundur në kandidaturën e Albulena Haxhiut. Ata e vlerësojnë atë si një emër të denjë dhe me integritet, duke refuzuar çdo mundësi për të propozuar dikë tjetër.
Megjithëse kanë bërë thirrje për një marrëveshje politike, kanë qenë të qartë se kandidatura e Haxhiut mbetet e vetmja në tavolinë.















