Mësimi tërëditor është një nga iniciativat që gjatë mandatit të Përparim Ramës u mirëprit por edhe funksionoi. 

E nisur fillimisht në pesë shkolla, iniciativa e nisur nën patronatin e ish-drejtoreshës së arsimit tani deputetes së LDK-s, Jehona Lushaku, kjo iniciativë parashihej të zgjerohej në shkolla të tjera. 

Marrë parasysh se lidhet ngushtë me nevojën për shkolla të reja, disa prej tyre nuk do ta gëzojnë këtë formë as këtë vit. 

Njëra prej tyre është shkolla “Pavarësia” në rrugën ‘Muharrem Fejza”. 

Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Halil Brahaj ka deklaruar se kjo shkollë nuk ka kapacitetet infrastrukturale e as ndonjë shkollë të re afër. 

A i ka kapacitetet shkolla “Pavarësia”, jo. Nuk i plotëson kriteret ngase ka numër të madh të nxënësve. Kemi 37 klasa nga 1-5 qe do duhej të ishin me mësim tërëditor. Ne kemi 31 dhoma. Vetëm nxënësit e sjkollës tonë smund të mbulojnë hapsirën që do kërkohej. Vetëm nëse do t’ishte një shkollë tjetër në “Mati 1” do ishte e mundshme. Me këto kapacitete, këtë infrastrukturë, s’mundet, deklaroi Halil Brahaj, Ushtruesi i detyrës së drejtorit në “Pavarësia”.

Gurthemelin e shkollës në “Matin 1”, Rama e përuroi vitin e kaluar por e njëjta, s’ka përfunduar akoma. 

Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje nga drejtori i ri i arsimit në komunë, por i njëjti kërkoi kohë disa ditë. 

Drejtori i arsimit në komunën e Prishtinës Samir Shahini ka deklaruar për Dukagjinin se raportet janë duke u shqyrtuar për të parë se sa shkolla mund ti bashkangjiten mësimit tërëditor këtë vit. Për më shumë detaje, ai ka deklaruar se do t’i jap të hënën.  

Se komuna e Prishtinës ka ende punë për të bërë e thonë edhe ekspert të arsimit. 

Aktualisht, mësimi tërëditor aplikohet në shkollat “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”, deklaroi Rinor Qehaja, ekspert i arsimit.