Një 19-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti trafiku që ka ndodhur të shtunën në fshatin Lutogllavë, në magjistralen Suharekë–Prizren.
Siç ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Shaqir Bytyqi për Dukagjinin, aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:05, ndërsa policia është njoftuar rreth orës 01:27.
Nga hetimet fillestare dyshohet se drejtuesi i automjetit, po ashtu rreth 19 vjeç, nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e cila ishte e lagësht për shkak të reshjeve të shiut.
Si pasojë, ai ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili ka dalë jashtë rrugës.
Pasagjeri, një 19-vjeçar nga fshati Piran i Prizrenit, ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipet e emergjencës. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është ndaluar në ndalim policor për 48 orë.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.