Një 21-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas 106 orësh i bllokuar, pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën.
Lajmin e bëri të ditur presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, i cili tha se Aaron Levi Cantillo Vargas u shpëtua në qytetin Caraballeda, në shtetin La Guaira, nga ekipet e kërkim-shpëtimit të Venezuelës, Meksikës dhe El Salvadorit.
Sipas Bukeles, operacioni i shpëtimit ishte veçanërisht i vështirë, pasi mes ekipit të shpëtimit dhe të riut ndodhej trupi i pajetë i një personi tjetër, gjë që e komplikoi ndërhyrjen.
21-vjeçari po merr trajtim të specializuar mjekësor, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë kërkimet me shpresën për të gjetur të mbijetuar të tjerë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se operacioni për nxjerrjen e Aaronit zgjati 43 orë, raporton BBC.
Autoritetet venezueliane paralajmërojnë se ekipet e shpëtimit ndodhen tashmë në “orët kritike” për gjetjen e të mbijetuarve. Deri më tani janë konfirmuar të paktën 1.450 viktima, ndërsa numri pritet të rritet. Sipas zjarrfikësve britanikë të angazhuar në operacion, zakonisht ekziston një dritare prej 96 orësh për të gjetur shumicën e të mbijetuarve, ndaj shpëtimi i 21-vjeçarit po konsiderohet një mrekulli.