Derisa zyrtarët policorë po patrullonin nëpër autostradën “Arbër Xhaferi”, mbëmjën e djeshme ata hasën në një trup të pajetë.

Në shiritin emergjent, u gjet trupi i shtetases ukrainase me inicialet O.K, por që ende nuk dihen shkaqet pse përfundoi aty.

Nga Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh kanë thënë se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, derisa rasti është kualifikuar si vdekje e dyshimtë.

“VDEKJE E DYSHUAR Autostrada “Arbër Xhaferi’’ /  21.02.2024-20:00. Patrulla policore gjatë patrullimit, në rrugë-autostradë kanë hasur ne një trup të pajetë të një viktime femër-shtetase e huaj.  Njësitet relevante policore,  prokurori dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e  ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Pak më shumë detaje dha Prokuroria Themelore në Ferizaj, në komunikatën e tyre.

Sipas këtij institucioni, rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më 21.02.2024, në autostraden Ferizaj-Prishtinë, rreth orës 19:30, është gjetur pa shenja jete një person-shtetase e huaj (ukrainase) me iniciale O.K.. Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj. Prokuroria me të gjitha insitucionet tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, thuhet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Trupi i pajetë i viktimës tashmë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.