Përgjigjja më serioze ndaj një aktgjykimi gjyqësor është një kundërargument i fuqishëm juridik. Por, kjo nuk do të thotë se politika duhet të heshtë. Përkundrazi, institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi të flasin qartë për historinë e luftës, për sakrificën e qytetarëve dhe për të drejtën e vendit për ta mbrojtur të vërtetën e saj historike.
Imer Mushkolaj
Aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ka ndryshuar një kapitull të rëndësishëm të procesit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dënimi i katër krerëve të UÇK’së nuk mund të trajtohet si e vërteta e vetme dhe përfundimtare për historinë e luftës së Kosovës, por as si diçka që mund të shpërfillet për shkak të peshës politike që kanë emrat e të dënuarve. Gjykata ka dhënë vendimin e shkallës së parë. Tash nis një fazë tjetër: Apeli. Pikërisht tash Kosova ka nevojë për më shumë seriozitet e më pak zhurmë.
Rasti i katër krerëve të UÇK’së nuk është vetëm çështje e katër individëve, por pjesë e një debati shumë më të gjerë për mënyrën se si trajtohet lufta e Kosovës, përgjegjësia individuale, zinxhiri komandues, provat, dëshmitë, standardet juridike dhe interpretimi i rrethanave në të cilat është zhvilluar lufta. Për këtë arsye, çdo hap i ardhshëm duhet të jetë i menduar deri në detaje.
Mbrojtja tashmë duhet ta ketë të qartë se çfarë kundërshton, cilat janë pikat ku aktgjykimi mund të kontestohet juridikisht dhe cilat argumente mund të kenë peshë para Panelit të Apelit. Nuk mjaftojnë deklaratat politike, as përsëritja se UÇK’ja ka bërë luftë çlirimtare. Kjo është një e vërtetë historike dhe politike për shoqërinë kosovare, por në sallën e gjyqit vendimtare janë provat, standardet juridike, interpretimi i ligjit dhe mënyra se si është arritur në përfundimet e shkallës së parë. Prandaj, përgatitja për Apel duhet të jetë e jashtëzakonshme.
Kosova, nëse dëshiron të kontribuojë në mënyrë serioze, duhet të bëjë atë që është e mundshme politikisht, institucionalisht dhe juridikisht. Politika mund të krijojë hapësirën, resurset dhe mbështetjen institucionale që u nevojiten ekipeve mbrojtëse, ndërsa juristët duhet ta bëjnë punën që u takon. Kjo kërkon edhe një lloj tjetër të unifikimit të skenës politike. Jo unifikim rreth një partie, as rreth një lideri, por një pajtim minimal për disa interesa që lidhen me shtetin dhe historinë e tij të afërt.
Përballë një procesi që ka zgjatur me vite, Kosova nuk mund të vazhdojë të sillet sikur çdo çështje që lidhet me UÇK’në duhet të përdoret për përplasje të brendshme. Nuk është e domosdoshme që të gjitha partitë të kenë të njëjtin qëndrim për qeverisjen, ekonominë, dialogun me Serbinë apo politikat sociale. Demokracia jeton pikërisht nga dallimet. Por, për çështje kaq të ndjeshme, duhet të ekzistojë së paku një minimum koordinimi institucional dhe politik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tash kur vendimi i shkallës së parë është marrë dhe rruga e ankimit duhet të shfrytëzohet me maksimalizëm juridik.
* * *
Duhet të mblidhen ekspertët më të mirë. Duhet të analizohet çdo faqe e aktgjykimit. Duhet të identifikohen mospërputhjet eventuale ndërmjet provave dhe konkluzioneve. Duhet të shqyrtohen standardet e zbatuara nga Trupi Gjykues dhe mënyra se si janë vlerësuar dëshmitë. Duhet të kuptohet qartë se çfarë mund të kërkohet në Apel dhe çfarë jo. Dhe, mbi të gjitha, duhet shmangur tundimi që argumentet juridike të zëvendësohen me argumente emocionale. Përgjigjja më serioze ndaj një aktgjykimi gjyqësor është një kundërargument i fuqishëm juridik. Por, kjo nuk do të thotë se politika duhet të heshtë.
Përkundrazi, institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi të flasin qartë për historinë e luftës, për sakrificën e qytetarëve dhe për të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur të vërtetën e saj historike. Këtë mund ta bëjnë nëpërmjet diplomacisë, dokumentimit, kërkimit shkencor, arkivave, dëshmive dhe komunikimit ndërkombëtar serioz. Ajo që duhet shmangur është improvizimi.
Kosova e ka paguar shtrenjtë mungesën e koordinimit. E ka paguar me përplasje politike, me deklarata kontradiktore dhe me përdorimin e çështjeve të luftës si armë në betejat e përditshme partiake. Në rastin e Speciales, një sjellje e tillë nuk i ndihmon askujt.
Tash nuk është koha për të pyetur se cila parti mund të përfitojë politikisht nga ky proces, por për të pyetur se çfarë mund të bëhet që procesi i Apelit të jetë sa më i fuqishëm dhe sa më profesional.
Nëse ka një moment kur skena politike kosovare duhet të tregojë pjekuri, ky është njëri prej tyre.
Bashkimi më i dobishëm do të ishte rreth një parimi të thjeshtë: mbrojtja juridike duhet të jetë maksimalisht profesionale, institucionet duhet të jenë të koordinuara, ndërsa historia e Kosovës duhet të dokumentohet dhe mbrohet me fakte.
Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është fundi i rrugës. Është një pikë e re nisjeje. Apeli do të jetë test për mbrojtjen, por edhe test për seriozitetin e Kosovës. Nëse duam që argumentet tona të dëgjohen, duhet t’i përgatisim ato në gjuhën që dëgjon drejtësia: me prova, me ligj, me fakte dhe me argumente. Për pjesën tjetër, politika mund të bëjë atë që i takon.
Të jetë e bashkuar aty ku duhet dhe të mos e shndërrojë edhe këtë proces në një tjetër luftë të brendshme politike. Beteja e ardhshme mund të fitohet vetëm me argumente të forta.