Një biletë, dy udhëtime – A do ta lehtësojë vendimi i Ramës trafikun e kryeqytetit?
Bileta Istog-Prishtinë një udhëtari që ka zbritur në Stacionin e Autobusëve në Kryeqytet, i ka kushtuar pesë euro. E në këtë çmim që nga e hëna e 17 marsit, do të përfshihet edhe çmimi i biletës brenda qytetit të Prishtinës, pa qenë nevoja të bëhet pagesë tjetër. Për funksionimin e biletës integruese komuna thotë se […]
Bileta Istog-Prishtinë një udhëtari që ka zbritur në Stacionin e Autobusëve në Kryeqytet, i ka kushtuar pesë euro.
E në këtë çmim që nga e hëna e 17 marsit, do të përfshihet edhe çmimi i biletës brenda qytetit të Prishtinës, pa qenë nevoja të bëhet pagesë tjetër.
Për funksionimin e biletës integruese komuna thotë se do duhen disa ditë e se efekti do të jetë lehtësimi i dendësisë së trafikut.
“Identifikimi fillestar do bëhet sigurisht përmes ndonjë mjeti identifikues të vendlindjes së personit. Vet fakti që merren nga stacioni i Autobusëve tregon se janë nga qytetet tjera ndërsa validimi dhe çështjet digjitale do bëhen brenda ditëve që pastaj të kemi lehtësira. Është një lloj diskriminimi pozitiv në kuptimin që qytetarëve të qyteteve të tjera t’iu jepet përparësi në raport me ata të Prishtinës sepse është në të mirën e qytetarit dhe Prishtinës sepse do kemi çlirim të trafikut. Besojmë shumë se ka për t’u shfrytëzuar e sidomos prej faktit që po bëhet në pranverë. Sa i përket shpenzimeve të Trafikut Urban, Komuna është aksionare 100% aty dhe siguron që nëse kjo lëvizje ka efekt pozitiv vazhdon tutje”, ka deklaruar Donat Lushaku, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.
Megjithatë, gjatë qëndrimit të televizionit në stacion janë hasur vetëm autobusë nga jashtë qytetit që destinacion kanë Prishtinën dhe asnjë autobus që ka linjën vetëm brenda qytetit.
Për funksionimin e plotë të saj, komunës i duhet ende kohë, derisa janë optimist se së shpejti do të bëhet edhe kjo linjë që lidh stacionin e autobusëve me qytetin.
Për inxhinier të komunikacionit, një vendim i tillë i bën të jenë optimist në uljen e tollovisë në komunikacion.
“Mendoj që po, do jetë një përqindje lehtësimi e e se sa do jetë mbetet të shihet. Iniciativa është e mirë dhe patjetër se ka për ta lehtësuar qarkullimin. Qytetarët do duhej të mësoheshin të shkonin fillimisht te stacioni autobusëve e prej aty, të lëvizin në transport urban në qendër të qytetit”, ka theksuar Bekim Ahmeti, inxhinier i komunikacionit.
Kritika për marrjen e këtij vendimi pati nga partia opozitare në komunë, Lëvizja Vetëvendosje e cila deklaroi se nga subvencionimi i Trafikut Urban me vendimin do përfitojnë qytetarët e komunave të tjera duke i konsideruar prishtinasit, si të diskriminuar.















