Të dielën, më 4 maj 2025, libraria Dukagjini feston 25-vjetorin e themelimit të saj. Në një kohë plot sfida, në gjendjen e sapodalë nga lufta dhe në një situatë politike të paqartë, një grup intelektualësh dhe sipërmarrësish morën iniciativën të krijojnë jo thjesht një librari, por një hapësirë të modeluar me shije të hollë, me piktura të zgjedhura dhe rafte të mbushura me libra. Në zemër të Prishtinës, këta njerëz fisnikë krijuan një vend të paqes dhe frymëzimit për dashamirët e librit dhe kulturës.
“Faqe pas faqeje, brez pas brezi” është motoja që shënon këtë jubile të rëndësishëm. Kjo moto pasqyron qartë sfidat dhe përkushtimin në zgjerimin e hapësirës dhe pasurimit të vazhdueshëm me libra, duke i kaluar këto vlera kulturore brezave që vijnë. Për 25 vite, libraria Dukagjini është shndërruar në qendrën kryesore të aktiviteteve kulturore dhe edukative në vend.
Si çdo vit, edhe sivjet Libraria Dukagjini sjell befasi për lexuesit e saj. Duke festuar 25-vjetorin, ajo ofron 25% zbritje për të gjithë librat në dyqanet e saj: në pikën qendrore, në Prishtina Mall dhe për porositjet online.
Libraria Dukagjini falënderon nga zemra të gjithë lexuesit dhe vizitorët që kanë qenë gjithmonë pranë saj, duke u bërë bashkëudhëtarë besnikë në këtë rrugëtim çerekshekullor.
Ju presim të dielën më 4 maj, për të festuar së bashku dhe për të përfituar nga zbritjet në mbi 50 mijë tituj, aksesorë libri dhe shumë risi të tjera.
Ju mirëpresim!