Një dështim madhështor

Është fatkeqësi që pas tre mandateve të Edi Ramës në pushtet, alternativë për qytetarët të jetë Sali Berisha. Në përpjekje për të mbrojtur veten me çdo kusht, ai ka shkatërruar partinë dhe të djathtën. Dështimi i 11 majit është alarmi i fundit për demokratët.

Imer Mushkolaj

Aleanca për Shqipërinë Madhështore, koalicion partish i udhëhequr nga Sali Berisha, ka pësuar debakël “madhështor” në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Si rrallëherë ndonjë lider politik, Edi Rama dhe Partia Socialiste ia kanë dalë të fitojnë për herë të katërt, madje me më shumë deputetë në parlament sesa para katër vjetësh.

Për ata që përcjellin rrethanat politike në Shqipëri ky rezultat nuk përbën befasi. Natyrisht, arsyeja kryesore për dështimin spektakolar të demokratëve ka një emër: Sali Berisha. Të tjerë, të cilët përpiqen të arsyetojnë këtë humbje të thellë, mund të gjejnë arsye të tjera. Është fatkeqësi që pas tre mandateve të Edi Ramës në pushtet, alternativë për qytetarët të jetë Sali Berisha. Në përpjekje për të mbrojtur veten me çdo kusht, ai ka shkatërruar partinë dhe të djathtën.

Çdo politikan do të dëshironte ta kishte Berishën rival në një garë politike. Berishën, koha e të cilit ka kaluar moti, Berishën që nuk di çfarë bën e çfarë flet, Berishën që mban në shpinë plot mëkate për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Rezultati i 11 majit ishte një tjetër humbje të thellë e Partisë Demokratike pas asaj të vitit 2013. Atëbotë, kryetari i atëhershëm dhe i tashëm i PD’së, Berisha, dha dorëheqje nga posti.

“Duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve i uroj kundërshtarit, fituesit të zgjedhjeve mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë. Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtet më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike, të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD’së dhe deputet i saj, të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve”, kishte deklaruar ai.

Por tash, pas 12 vjetësh, Berisha, i cili bëri çmos që të rikthehej në krye të partisë, mendon ndryshe. Ai sot nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, duke i konsideruar të grabitura dhe duke i kundërshtuar edhe me protesta në rrugë.

* * *

Nuk është hera e parë që Sali Berisha nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, duke i akuzuar të tjerët se i kanë vjedhur ato. Ndërkohë, atyre që iu kujtohen zgjedhjet e vitit 1996 në Shqipëri iu kujtohet edhe vjedhja e tyre nga Berisha, situatë që çoi në djegien e vendit dhe vrasjen e qytetarëve.

Paaftësinë e vet për ta mposhtur rivalin politik Berisha e “paketon” si hajni nga kundërshtari, duke u përpjekur t’i bind votuesit e tij se ai nuk paska faj. Në vend që të jep përgjegjësi për rezultatin skandaloz, ai madje shprehet i vendosur të mos tërhiqet nga partia, as politika deri sa të ketë jetë.

A patën probleme zgjedhjet në Shqipëri? Patjetër. Por, a patën aq shumë sa që të konsiderohen të grabitura? Në mendjen e Sali Berishës po, në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë jo.

Nën udhëheqjen e Edi Ramës tash 12 vjet Shqipëria është përballur me probleme të shumta, me krim e korrupsion, me mungesë të lirisë së mediave e kapje institucionesh. Një lloj regjimi autokratik është ushtruar atje, ndërkohë që kanë munguar alternativat politike serioze për ta larguar Ramën nga pushteti.

Përkundër që parti të reja politike provuan veten në zgjedhje, ato ende nuk janë të etabluara sa duhet për ta fituar besimin e shqiptarëve. Kështu, Partia Demokratike mbetet rivali kryesor i asaj Socialiste. Por, me Sali Berishën në krye, për të nuk priten ditë të mira.

Demokratët vetë nuk duhet të presin që ai të largohet me vullnetin e tij, por duhet ta shporrin. Vetëm në këtë mënyrë PD kthehet në një parti normale dhe nuk mbetet pronë dhe peng i një njeriu me të cilin, si rival, Edi Rama ka gjasa që të qëndrojë edhe gjatë kohë në pushtet.

Të fundit nga rubrika