Një ditë para Kuvendit, LDK-ja përballet me audioincizime, kërkohet hetim nga Prokuroria

Një ditë para Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku do të vendoset për fatin e udhëheqjes së kësaj partie, tensionet janë shtuar pas publikimit të audio-incizimeve që tregojnë për presion ndaj delegatëve për të nënshkruar shkarkimin e Lumir Abdixhikut. Për këto incizime, LDK kërkoi hetim nga Prokuroria, ndërsa analistët e cilësojnë të papranueshëm çdo ndikim mbi vullnetin e delegatëve.

Në janar kërkoi votëbesim, e në korrik iu mblodhën plot 150 nënshkrime që nuk e duan më në krye të partisë.

Kësisoj, me kërkesën e delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Adixhiku, thirri Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë që mbahet nesër pasdite.

Një ditë para mbledhjes vendimtare, partia nuk dha detaje shtesë për zhvillimet e nesërme, por reagoi ashpër ndaj publikimit të disa audio-incizimeve në emisionin “Debat Plus” një natë më parë.

Në incizime dëgjohet një zyrtar i komunës së Prishtinës duke i premtuar punësim të gruas një delegati, në këmbim të nënshkrimit të tij për shkarkimin e Abdixhikut.

LDK këtë e cilësoi sjellje të papranueshme dhe në kundërshtim më Statusin e partisë e poashtu me ligjin, duke kërkuar hetim nga Prokuroria.

“Askush e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh. Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite. LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë. Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lire”, thuhet nga LDK.

Për ish-kandidaten për deputete nga radhët e LDK-së, Shqipe Pantina, praktika të tilla cenojnë integritetin e vendimmarrjes politike.

Shqipe Pantina, analiste politike tha se “LDK nuk i ka fitu zgjedhjet nuk është në gjendje të ofrojë pozita të ministrave etj, edhe kjo është formë e gabuar”.

Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së, përbëhet nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, ndërsa pjesë e tij, me automatizëm, është edhe kryetari aktual i partisë.

Ata pritet të votojnë për ose kundër shkarkimit të Lumir Abdixhikut nga kreu i partisë.

 

 

 

Të fundit nga rubrika